FSHF zbulon datën e vendimit të CAS-it

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) pritet të japë vendimin për ndeshjen Serbi-Shqipëri në datën 29 maj 2015.

Sport

05/05/2015 08:59

Lajmi u dha nga Federata Shqiptare e Futbollit, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

Sipas saj,  mund të ketë edhe vonesa në varësi të hetimeve që po realizon kjo gjykate sportive. Ndeshja Serbi-Shqiperi u luajt në datën 14 tetor 2014 dhe u ndal për shkak të dhunës që u ushtrua nga tifozeria e vendasve, kundrejt futbollisteve tanë.

“Ne kemi shprese për një qëndrim dinjitoz dhe korrekt ndaj Kombëtares sonë. Një qëndrim ne favor te Shqipërisë është në favor të futbollit duke i thënë STOP urrejtjes dhe racizmit, ne sportin më të dashur”, – thuhej në njoftimin e FSHF-së.

Seancat dëgjimore të kësaj çështje janë shqyrtuar në Lozanë, më 16 dhe 17 prill.

Në dëgjesën ku ishte pala shqiptare dëshmitarët dhe specialitët u dëgjuan për më shumë se 13 orë. Seanca nisi me pyetjen e kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana e vazhduar me trajnerin e Kombëtares sonë, Gianni De Biasi, shkruan “Sportal.al”.

Çështja me numër “CAS/A/3874 – Federata Shqiptare e Futbollit vs. UEFA & Federata Serbe e Futbollit” është shndërruar në një nga më të nxehtat në historinë e gjykimeve në “tempullin e drejtësisë sportive botërore”.

Gjyqtarët e KAS-it kanë dashur të vlerësojnë gjithçka me kujdes për të marrë një vendim të pjekur, pasi si Shqipëria dhe Serbia kanë kundërshtuar vendimit e komisioneve të UEFA-s.

Vendimet e tyre kanë qenë të njëjta me humbje në tavolinë 3 – 0 të Kuqezinjve dhe zbritje 3 pikë në klasfikimin e Grupit I të Euro 2016.