FSHF kërcënon me ndërprerje të tërësishme të punimeve në ‘Loro Boriçi’

Stadiumi i ri i Kombëtares së Shqipërisë, 'Loro Boriçi', mund të mos ndërtohet fare.

Sport

26/10/2015 12:46

Federata Shqiptare e Futbollit e ka paralajmëruar Bashkinë e Shkodrës që ta miratojë marrëveshjen mes tyre dhe FSHF-së, ose në të kundërtën do të ndërpriten punimet, transmeton Panorama Sport.

Zyrtari i FSHF-së, Arben Dervishaj, ka kërkuar nga këshilltarët e Bashkisë së Shkodrës që ta mendojnë dëmin që ia shkaktojnë qytetit me votën kundër marrëveshjes për menaxhimin e stadiumit.

“Nuk dëmtohet federata, sepse ajo e ka një stadium, ka ‘Elbasan Arena’-n. Është Vllaznia dhe qyteti i Shkodrës që humbet shumë”, është shprehur ndër të tjera anëtari i Komitetit Ekzekutiv.

“Nëse nuk miratohet marrëveshja, do të ndërpresim punimet, pasi pa para nuk mund të ndërtohet”.

FSHF i ka propozuar Bashkisë së Shkodrës që kur luan Kombëtarja dhe ndeshjet e Superkupës në ‘Loro Boriçi’, federata ta menaxhojë stadiumin, ndërsa lojët e skuadrës së Vllaznisë së Shkodrës të menaxhohen nga klubi shkodran.

Në rast se nuk arrihet një marrëveshje, ekziston rreziku që të dështojë investimi prej katër milionë eurosh.