FSHF fjeti te Shaqiri e Behrami
Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka akuzuar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) se kanë “fjetur” në rastet kur futbollistë të talentuar si Xherdan Shaqiri e Valon Behrami i janë bashkuar skuadrave tjera përfaqësuese. Shaqiri dhe Behrami janë anëtarë të Zvicrës, skuadër tek e cila paraqiten edhe tre futbollistë të tjerë shqiptarë, Granit…
Sport
Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka akuzuar drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) se kanë “fjetur” në rastet kur futbollistë të talentuar si Xherdan Shaqiri e Valon Behrami i janë bashkuar skuadrave tjera përfaqësuese.
Shaqiri dhe Behrami janë anëtarë të Zvicrës, skuadër tek e cila paraqiten edhe tre futbollistë të tjerë shqiptarë, Granit Xhaka, Admir Mehmedi e Pajtim Kasami.
Mirëpo, ata nuk janë të vetmit. Në shumë skuadra të tjera përfaqësuese paraqiten futbollistë shqiptarë të cilët në të kaluarën kanë pasur mundësinë të jenë pjesë e skuadrës kuq e zi.
Shumëkush i quajti “tradhtarë”, Shaqirin dhe shokët e tij gjatë dy ndeshjeve kundër Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror 2014, mirëpo De Biasi mendon se fajtor është dikush tjetër.
“Shumë prej të rinjve janë marrë nga Federata tjera, kjo e Shqipërisë ka fjetur pak sa në disa raste të caktuara, e kam fjalën për Shaqirin dhe Behramin”, deklaroi De Biasi për Tele Radio Stereo.
Strategu italian ka zbuluar synimin e tij pas nënshkrimit të kontratës së re dyvjeçare me FSHF-në.
“Tani do të mundohemi që me të gjitha forcat të kualifikohemi për në Euro 2016, nuk do të jetë lehtë por do të punojmë shumë. Kemi talentë të mirë, por duhet të zhvillohen nga këndvështrimi taktik”, u shpreh De Biasi.