Fryma e Vetëvendosjes
Albin Kurti deklaroi në Rahovec se në aspektin historik e kombëtar, Vetëvendosje udhëhiqet nga fryma që lidh Skënderbeun dhe Adem Jasharin, ndërkaq në aspektin politik e filozofik udhëhiqet nga koncepti i cili lidh Sami Frashrin me Ukshin Hotin.
Lajme
Lëvizja Vetëvendosje mbajti një tubim elektorale në Rahovec. Atje, lideri i saj, Albin Kurti tha se në aspektin historik e kombëtar, Vetëvendosje udhëhiqet nga fryma që lidh Skënderbeun dhe Adem Jasharin, ndërkaq në aspektin politik e filozofik udhëhiqet nga koncepti i cili lidh Sami Frashërin me Ukshin Hotin.
Duke folur për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes, Kurti tha se përmes saj synojnë t’i japin hov industrisë prodhuese, duke e ditur që industria prodhuese i krijon vendet e reja të punës edhe në industrinë e shërbimeve, atë të financave, si dhe në tregti.
Lidhur me problemin e vreshtarëve të Rahovecit, Kurti tha se shitja e Bodrumit dhe ambientit të përpunimit të rrushit, bashkë me 1000 hektarët e vreshtave, i ka lënë kultivuesit e rrushit, i ka lënë vreshtarët, pa e shitur rrushin.
“Shembulli i dështimit edhe të bujqësisë edhe të industrisë është kjo fabrikë e shitur, ku dështimi i bujqësisë e sforcon dështimin e industrisë, dhe dështimi i industrisë e sforcon dështimin e bujqësisë”.
Kurti foli edhe për Hoçë të Madhe.
“Vetëm sa po përforcohet e ashtuquajtura zonë e veçantë mbrojtëse, e cila në fakt e sulmon edhe funksionalitetin e Komunës, edhe trashëgiminë kulturore”.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nuk do të ketë më këso mini-shtetesh brenda komunave tona, por do të ketë komuna të fuqishme të Kosovës, në një shtet të fuqishëm të Kosovës”.
Duke folur për infrastrukturën, Kurti tha se infrastruktura nuk është vetëm asfalt i hollë si qilim, por është rrugë e shtruar me bazë dhe mbi të gjitha infrastruktura nënkupton edhe ujësjellësin edhe kanalizimin.
“E keni parë kohëve të fundit se si këtu në Rahovec pushteti po mbjellë asfalt për të korrur vota. Po shtrohen rrugë vend e pa vend, të holla me asfalt si qilim, pa i paguar kompanitë e ndërtimit, me premtimin se buxhetin do t’ua shlyejmë në mandatin e ardhshëm ndërkohë që borxhi i Komunës tashmë është trashur në 3 milionë euro. Kjo qeverisje që e rrit borxhin e popullit, për t’ia zgjatur jetën vetes, vetëm sa ia nxin jetën qytetarëve”.
Kandidati për Kryetar të Komunës, Dervish Çadraku, deklaroi se e Komuna e Rahovecit është në duart e një grupi njerëzish, të cilët në cilësinë e pushtetarëve krijojnë marrëdhënie të njëanshme abuzuese me të drejtat legjitime të qytetarëve.
“Duke e trajtuar Komunën si pronën private të tyre, ata shpërblimin për punën e tyre e çojnë përtej pagës, duke plaçkitur kështu buxhetin e Komunës dhe xhepat e qytetarëve”.