Frustrimi si nocion themelor politik në Kosovë

10:43 | 19 Qershor 2015

Foto nga: Blerim Shala

Është në rritje e sipër numri i atyre qytetarëve të Kosovës, të cilët më nuk besojnë që këndejpari do të ‘bëhet mirë’.

Nëse ka fjalë që është në gjendje më së miri ta kuptimësojë gjendjen mbizotëruese në politikën dhe në shoqërinë kosovare, si dhe në relacionet që ky vend ka me Evropën, kjo është fjala frustrim.

Frustrimi si kategori politike dhe shoqërore në Kosovë  (këtu duhet lënë anash dimensionet psikologjike, si origjinën themelore të kësaj dukurie), ndërtohet mbi ndjenjën e pafuqisë dhe të pamundësisë për të ndryshuar gjendjen aktuale, e cila thuaja në të gjitha aspektet e saja, shquhet me një drejtim që njeh tatëpjetën e vazhdueshme.

Kjo ndjenjë ushqehet përditë me deficitin, në shtim-e-sipër, të shpresës, e cila për decenie me radhë ishte ‘karburanti’ kryesor politik i shqiptarëve të Kosovës, dhe në suficitin, poashtu në shtim-e-sipër, të dëshpërimit, në shtetin e Kosovës.

Në mungesë të një debati të mirëfilltë politik dhe shoqëror në Kosovë për gjendjen ku jemi, dhe si vijim, në pamundësi për të mbërri tek një konsensus politik se çka duhet bërë tash e tutje në këtë politikë për të shpëtuar, në masë të madhe, prej këtij grumbulli të problemeve të gjithëllojta që kanë nisë ta ngulfatin Kosovën, shtegdalja nga Frustrimi kërkohet kudo dhe kurdo, edhe në fajësimin e atyre që nuk kanë gjë hak dhe as hile për situatën ku kemi mbërri, si dhe në pëplasjen ‘gjithëpopullore’ ku ndodhë një lloj konfrontimi i të gjithëve me të gjithë. Natyrisht, ndodhë që disi të provojmë të mëkëmbemi me ceremonitë, çfarë ishte ajo e varrimit të Isa Boletinit, apo edhe me të tjerat të këtij lloji, të cilat në rastin më të mirë  (gjë që nuk është fare shembulli me ne), dëftojnë gatishmërinë e një shoqërie për tu marrë me dinjitet me historinë e saj, e në rastin më të keq, vijnë e bëhen mjet i aktualitetit politik, i qërimit të hesapeve të rëndomta politike.

Kush është krejt i frustruar në këtë Kosovën tonë?

Mbase, të gjithë ne, me Evropën. Edhe ata ndër ne që shquhen me vullnetin për tu marrë me vetëveten, me politikën kosovare, ashtu siç do të duhej në të vërtetë, pra, duke kërkuar përputhjen e zotimeve ligjore dhe politike me atë çfarë njihet si ‘gjendja në terren’, po e kanë gjithnjë e më vështirë të kuptojnë që nuk po ndodhë barazimi, qoftë edhe i përafërt, midis zotimeve fjalëmëdha evropiane për ‘Kosovën që ka perspektivë evropiane’, me bërjen e hapave shumë konkret të cilët do ta dëshmojnë që kjo perspektivë njeh edhe të tashmën konkrete, e jo vetëm një të ardhme të padefinuar.

Pastaj, të shumtë, në mos të gjithë qytetarët e Kosovës, janë të frustruar me atë çfarë sot paraqet Kosova, si politikë, si organizim shtetëror, si ofertë ekonomike dhe sociale, si një mundësi që qytetarët të jetojnë ashtu si duhet në këtë shtet. Për më keq, është në rritje e sipër numri i atyre qytetarëve të Kosovës, të cilët më nuk besojnë që këndejpari do të ‘bëhet mirë’. Ky zatën mund të jetë shpjegimi më i mirë për gjithë atë mësymje të kosovarëve kah Perëndimi, udhëve ilegale, që ndodhi në dimrin e shkuar.

Natyrisht, vetë politika e sotme kosovare është një ‘prodhuese e suksesshme’ e frustrimit, qoftë si atmosferë, e cila, në masë të madhe, shquhet me sjelljet, fjalorin dhe veprimet të denja për një treg plaçkash të lirë, qoftë si tërësi premtimesh fare të pathemelta për një ndryshim rrënjësor të statusit social të qytetarëve të Kosovës, apo edhe si mungesë e vullnetit për tu marrë si duhet me këtë vend, dhe me të ardhmen e tij.

Më së lehti në këtë ambient politik të krijuar viteve të fundit, është që cilësia përherë e më dobët që shprehet si zhurmë dhe piskamë, të mbulohet disi me akuzat nga më të ndryshme, të cilat më së lehti ‘akomodohen’ në skemat e patriotizmit/ tradhtisë, apo edhe në ato që shquajnë dy ngjyrat bazike, bardh dhe zi.

Nuk jetohet dot me frustrimin që nuk trajtohet si duhet, i cili nuk zgjidhet si duhet.

Në mungesë të një qasjeje të këtillë, racionale politike dhe shoqërore, frustrimi ia gjen shtegdaljen vetes, gjithmonë në udhët më të këqija të mundshme, të cilat marrin pastaj trajtën e një fature të cilën duhet ta paguajmë të gjithë.

Kështu do të ndodhë edhe kësaj here në Kosovë, poqëse në ndërkohë nuk nisim të mbledhim mend.

Por, diçka e tillë, nuk po duket fare si mundësi.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)