FRONTEX nis sot misionin në Shqipëri

10:26 | 21 Maj 2019

Agjencia Europiane e Mbrojtjes së Kufirit (FRONTEX) nis sot misionin e saj në Shqipëri.

Falë marrëveshjes së nënshkruar në tetorin e vitit 2018, atje pritet të zbarkojnë 50 oficerë të FRONTEX, që do të bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë me oficerët tanë të policisë kufitare dhe migracionit.

Për shkak të eksperiencës, mjeteve dhe pajisjeve, oficerët e FRONTEX do të jenë një vlerë e shtuar për vendin tonë. Oficerët e FRONTEX, do të jenë nga Gjermania, Republika Çeke, Kroacia, Sllovenia, Holanda dhe Rumania, ndërkohë që numri do të jetë fleksibël në varësi të situatave.

FRONTEX ka në fokus të punës së saj menaxhimin e integruar të kufijve, mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufijve me vendet e BE-së dhe me vendet e treta jashtë saj. E krijuar në vitet 2004-2005, mbas flukseve të mëdha migratore me të cilat u ndesh gjithë Evropa kjo agjenci u fuqizua në staf duke kryer operacione jo vetëm në kufirin tokësor, por edhe në kufirin ajror dhe detar.

Është hera e parë që BE nënshkruan një marrëveshje të tillë me një vend jo anëtar, pra me Shqipërinë dhe synon që përmes këtij projekti shumë të rëndësishëm, të mund të forcojë kapacitetet e kontrollit të kufirit, të frenojë flukset migratore, të frenojë trafikun e paligjshëm…etj.

Lansimi i misionit të FRONTEX pritet të realizohet sot përmes një aktiviteti që do zhvillohet në Tiranë.

Ceremonia zyrtare, e ndjekur nga një konferencë për shtyp, do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë (Shqipëri), të martën, më 21 maj, në prani të Komisionerit Dimitris Avramopoulos, Drejtorit Ekzekutiv të Frontex-it Fabrice Leggeri, Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë Sandër Lleshaj, raporton ATSH.

Negociatat për Marrëveshjen e Statusit midis Bashkimit Europian dhe Republikës së Shqipërisë u mbyllën në tetor 2018, duke u bërë marrëveshja e parë e këtij lloji nga BE-ja me një vend fqinj jo të BE-së.

Marrëveshja i mundëson FRONTEX-it, Agjencisë Europiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare të kryejë operacione të përbashkëta dhe të vendosë ekipe në kufijtë e përbashkët të Shqipërisë dhe BE-së.

Në marrëveshje me autoritetet shqiptare, do të nisin operacione për të ndihmuar për trajtimin e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar. Operacioni i përbashkët do të fillojë më 22 maj në kufirin shqiptaro-grek.