Frika qytetare dhe trimëria politike

Në politikën tonë ka mungesë kronike të vullnetit për tu ballafaquar me realitetin e mirëfilltë, dhe kjo gjendje, nuk ka do të ndryshojë as pas zgjedhjeve të reja, kudo që ato do të mbahen.

Opinion

24/07/2019 09:10

Blerim Shala

Nuk i frikësohemi zgjedhjeve. Jemi gati për zgjedhje, kurdo që ato të mbahen.

Këto dy fjali kanë pushtuar skenën politike dhe mediatike të vendit që prej orëve të pasdites së vonshme të së premtes së kaluar, të 19 korrikut, kur Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqja nga pozita e tij, në vijim të një ftese që kishte marrë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Nuk ka dyshim që vendimi i Kryeministrit Haradinaj ka krijuar rrethana krejtësisht të reja politike në vend. Ato, për më shumë, siç ishte edhe në vitin 2005  (kur Haradinaj u pati larguar nga Qeveria e atëhershme për tu përballur me Aktakuzën e Tribunalit të Hagës), iu imponuan politikës kosovare nga jashtë, me një intervenim gjyqësor që gjithsesi ka pasë dhe do të ketë pasoja politike në të ardhmen e Kosovës.

Në fakt, kjo çfarë po ndodhë tani me Dhomat e Specializuara në Hagë, dhe ajo çfarë nuk ka ndodhë në dialogun në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit, (sepse nuk është arritë Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë), tregon që objektivisht, lufta e viteve 1998, 1999, ende nuk ka marrë formën e prerë historike dhe politike, sepse ajo ende prodhon pasoja të gjithëfarshme, aktuale, në politikën kosovare dhe në raportet e çrregulluara në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Është e domosdoshme që te dy këto rrëfime të marrin formën e prerë politike, ligjore dhe historike në vitin 2020. Pra, që të përmbyllej puna e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe që të bëhet Marrëveshja Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura. Ndryshe, tutje do të jemi të varur nga një histori që ende prodhon politikë ditore.

Sidoqoftë, gatishmëria imediate e politikanëve dhe të partive tona që emergjenca politike (pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj), të adresohet me një shok-terapi, çfarë realisht janë zgjedhjet, është bazuar në rradhë të parë në një ‘kod burrërie’, se sa në një analizë apo vlerësim të mirëfilltë politik.

Ta merr mendja që kemi të bëjmë me një kushtrim lufte, ku kërkohet trimëria, e jo me një sprovë të madhe politike, ku mbi të gjitha do të duhej bërë një vlerësim gjakftoht se çka i bie më së miri këtij vendi, këtij shteti, qytetarëve të tij.

Poqëse do të mirreshin krejt seriozisht fjalët dhe porositë e politikanëve dhe të partive tona, do të mund të thuhej madje që më së miri do të ishte që për çdo vjet, në vjeshtë, të kemi zgjedhje të reja, për tu sprovuar se kush çfarë përkrahje ka në politikën kosovare.

Sidioqoftë, dihet që frika dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës kanë prioritet të madh karshi frikës dhe shqetësimeve të politikanëve dhe të partive tona.

Politikanët janë këtu për shkak të qytetarëve, dhe jo anasjelltas.

Nëse do të kemi sërish zgjedhje parlamentare në Kosovë, ato edhe një herë, do të jenë zgjedhje të jashtëzakonshme, siç ka qenë rasti me ato të viteve 2010, 2014 dhe 2017.

Nëse dihet që zgjedhjet e vjeshtës së vitit 2007 u llogaritën si të parat në shtetin e Kosovës, me këto që do të mund të mbaheshin brenda dy muajve të ardhshëm, del që në një hark kohor prej më pak se 12 vjet, u jemi drejtuar pesë herë qendrave të votimin anëkënd Kosovës.

Zgjedhjet e shpeshta, këtë me gjasë e dimë të gjithë ne, edhe në bazë të përvojës sonë vetanake, nuk kanë në vete kurfarë garance që ato do të prodhojnë një cilësi më të mirë politike. Ky konkludim vërtetohet lehtë, nëse dihet se si ka evoluar, për shembull, për të keq, pas çdo zgjedhjeve të përgjithshme, performansa e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i sotëm i Kosovës ka mbërri nivelin më të ulët të cilësisë.

Dikush këtu mund të thotë që pa marrë parasyshë këtyre vlerësimeve politike, të cilat janë edhe të sakta dhe të qëndrueshme, rrethanat e reja ligjore në politikën kosovare  (Qeveria e sotme është Qeveri e dorëhequr), imponojnë domosdoshmërisht një testim të ri zgjedhor, sepse për shumë shkaqe, kemi problem me legjitimitetin politik.

Sidoqoftë, në politikën tonë ka mungesë kronike të vullnetit për tu ballafaquar me realitetin e mirëfilltë, me ato kërkesat themelore të qytetarëve të vendit, dhe kjo gjendje, nuk ka aspak gjasa të ndryshojë edhe pas zgjedhjeve të reja, kudo që ato do të mbahen.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)