Frika nga refugjatet sirianë, Shqipëria shton masat e kontrolleve

Frika për mbërritjen e refugjatëve sirianë në Shqipëri, përmes kufirit juglindor vijon të sjellë shtimin e masave dhe kontrolleve të policisë.

Lajme

12/03/2016 13:23

Pas postblloqeve të vendosura përgjatë aksit nacional Korçë-Kapshticë, një tjetër patrullë policie është duke monitoruar edhe zonën e Pustecit, si zonë që mund të shërbejë për kalimet klandestine.

Tashmë masat janë shtuar edhe në zonën kufitare të Goricës. Forcat e kufirit të Postës së Goricës kanë nisur kontrollet jo vetëm në zonën e gjelbër në fshatrat Zaroshkë dhe Cerje, por patrullojnë me skaf edhe vijën liqenore që ndan Shqipërinë me Greqinë si shteg i mundshëm për kalimin në mënyrë klandestine të refugjatëve sirianë.

Krahas postblloqeve në Zëmblak dhe Bilisht, një patrullë policie është në lëvizje nga kryqëzimi i Zëmblakut deri në fshatin Pustec. Prej disa javësh policia e kufirit në bashkëpunim me forcat e rendit dhe FNSH vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri përgjatë gjithë vijës së gjelbër me kufirin grek si pararojë për kalimet klandestine në çdo shteg të qarkut juglindor që ka shërbyer për kalimet e paligjshme në shtetin grek.

/ Top Channel