Francë, rikthehet Napoleoni i Ri!

Partia Konservatore UMP ka fituar bindshëm zgjedhjet lokale në Francë. Sipas të dhënave preliminare, UMP e drejtuar nga ish-presidenti Nicolas Sarkozy, ka fituar më shumë se kurdoherë, 41 nga 101 qarqet ku janë mbajtur votimet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Bota

30/03/2015 09:53

Partia e dytë në këto zgjedhje, të cilat shihen si test për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, është ajo e Marine Le Pen, Fronti Kombëtar, ndërsa humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve është Partia Socialiste e presidentit aktual, Francois Hollande.

Le Pen ka përshëndetur votuesit duke e quajtur të dielën e votimeve si “ditë historike për Frontin Kombëtar. “Unë falënderoj të gjithë votuesit tanë për këtë sukses madhështor. Qëllimi është afër! Në zgjedhjet tjera do të arrijmë pushtetin dhe do të aplikojmë idetë tona për ta përmirësuar Francën”.

Marine Le Pen

Hollande ende nuk ka bërë ndonjë koment, por kryeministri i tij, Manual Valls, pranoi se humbja e Partisë Socialiste ishte e “pakontestueshëm” dhe se “francezët janë deklaruar – janë të pakënaqur me mirëqenien e tyre”.

Por ai që ngadhënjeu në këto zgjedhje dhe që pritet të rikthehet në postin e presidentit më 2017, është ish presidenti Sarkozy, i njohur nga shumë komentator politik edhe si “Napoleoni i Ri”.

Njeriu që shihet nga franceze si “trupvogël”, me “ide të mëdha” dhe me “grua magjepëse”, falënderoi votuesit, që siç tha ai, refuzuan masivisht politikat e pasardhësit të tij si president, Francois Hollande, njofton Le Mond, raporton lajmi.net.

“Familja jonë politike kurrë nuk ka fituar kaq shumë qarqe. Qeverisja e keqe është e keqe dhe nuk kishte nevojë për shumë fjalë. Francezët me votën e tyre hodhën poshtë politikat e pushtetit aktual”, tha Sarkozy, duke komentuar rezultatin preliminar të zgjedhjeve lokale, në të cilat morën pjesë mbi 50 përqind e votuesve. /lajmi.net/

Francois Hollande