Franca fiton Ligën e Kombeve, triumfon me përmbysje ndaj Spanjës

22:40 | 10 Tetor 2021

Kombëtarja e Francës ka fituar Ligën e Kombeve duke mposhtur Spanjën në finale.

Përballja ishte e ‘zjarrtë’ me Francën që fitoi në fund me rezultat 1 – 2, shkruan lajmi.net.

Pjesa e parë mbaroi ashtu siç nisi, ngase asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet.

Spanja dominoi në pjesën e parë, mirëpo u mungoi konkretizimi.

Pjesa e dytë ishte në nivel më të lartë, ku u shënuan plotë tre gola.

Fillimisht, pas një mbrojtje të dobët të Dayot Upamencao përfitoi sulmuesi Oyarzabal që shënoi në portën e Lloris pas asistimit të Busquets (64′).

Por, vetëm dy minuta më vonë, Karim Benzema pas një asistimi të Kylian Mbappe barazoi rezultatin duke shënuar eurogol nga distanca (66′).

Franca vazhdoi me posedimin dhe gjeti golin e përmbysjes me anë të Mbappe, që u asistua nga Theo Hernandez (80′).

Kështu, me këtë fitore, Franca fiton Ligën e Kombeve, derisa Spanja merr medaljet e argjendta./Lajmi.net/