Franca do të riatdhesojë nga Siria 11 xhihadistë

19:47 | 12 Nentor 2019

Franca do të pranojë nga Turqia, 11 shtetas francezë të dyshuar si pjesëtarë të grupit ekstremist Shteti Islamik, një ditë pasi Ankaraja tha se do të dëbonte qytetarët e huaj të lidhur me këtë grup.

Ofensiva e njëanshme e Turqisë në veri të Sirisë, ka zemëruar Uashingtonin dhe aleatët kryesorë evropianë të Turqisë në NATO, të cilët kanë frikë nga një ringjallje e Shtetit Islamik në rajon.

Vendet evropiane janë veçanërisht të shqetësuara për kthimin në Evropë, të luftëtarëve të huaj të Shtetit Islamik.

Franca, e cila ka midis 400-500 shtetas që mbahen në pjesën e Sirisë së kontrolluar nga kurdët, përfshirë rreth 60 luftëtarë, ka qenë këmbëngulëse për të mos kthyer prapa ata që ishin bashkuar me Shtetin Islamik.

Ajo dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje me Irakun për marrjen dhe ndjekjen penale të shtetasve të saj nga Siria.

Sidoqoftë, si pjesë e një marrëveshjeje të vitit 2014 me Turqinë, shtetasit francezë të arrestuar nga autoritetet turke, në të kalurën, janë deportuar në Francë.

“Brenda këtij kuadri ne po e shohim edhe riatdhesimin e 11 shtetasve francezë”, tha ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner.

Ai nuk pranoi të jepte detaje në lidhje me individët, por tha se ata do të dorëzohen tek autoritetet gjyqësore, kur të arrinin në vend.

“Rreth 250 shtetas francezë janë riatdhesuar që nga viti 2014”, tha Castaner.

Turqia thotë se ka zënë 287 militantë të Shtetit Islamik në Sirinë verilindore.

Ajo ka akuzuar vendet evropiane se janë shumë të ngathta për të tërhequr prapa qytetarët e tyre që shkuan për të luftuar në Lindjen e Mesme. /REL