Foshnja dy-muajshe dërgohet për mjekim nga Prishtina në Napoli, transportohet nga KFOR-i

KFOR-i dhe Komanda e Operacioneve të Përbashkëta Italiane kanë transportuar me avion nga Prishtina një foshnje dy muajshe për mjekim në Napoli. Irina, dy-muajshe, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë u transportua bashkë me nënën e saj për në spitalin “Mondali” në Napoli, ku siç bën të ditur KFOR-i një ekip i specializuar…

Lajme

30/11/2022 23:08

KFOR-i dhe Komanda e Operacioneve të Përbashkëta Italiane kanë transportuar me avion nga Prishtina një foshnje dy muajshe për mjekim në Napoli.

Irina, dy-muajshe, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë u transportua bashkë me nënën e saj për në spitalin “Mondali” në Napoli, ku siç bën të ditur KFOR-i një ekip i specializuar mjekësor do të kujdeset për të.

“Falë organizatës së KFOR-it dhe Komandës së Operacioneve të Përbashkëta Italiane, një avion i Forcave Ajrore ka mundur të transportojë vajzën e vogël e cila vuante nga një sëmundje shumë e rëndë në zemër, së bashku me nënën e saj, nga Prishtina në spitalin “Monaldi” në Napoli, ku Ekipi i specializuar mjekësor do të kujdeset për të”.

“Karabinierët e Regjimentit të MSU-së – Njësia e Specializuar Shumëkombëshe, pjesë e Misionit të KFOR-it, aktivizuan Ambasadën Italiane  në Prishtinë dhe Komandën e Përbashkët Operative Italiane për të finalizuar shpejt bashkëpunimin bujar të ofruar nga Spitali “Monaldi”, i njohur si qendër e ekselencës për patologjitë neonatale dhe nga instituti fetar “Povere Figlie della Visitazione di Maria” në Napoli, i cili do të presë nënën e foshnjës për të gjithë periudhën e trajtimit” thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Mes tjerash, thuhet se ky rast ndihmon në konsolidimin e marrëdhënieve të miqësisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit ndërmjet misionit të NATO-s, KFOR, institucioneve italiane dhe Kosovës.

KFOR-i gjithashtu i ka uruar shërim Irenës së vogël.