Forma e dobët e Kane, vetëm katër goditje e asnjë gol në këtë fillim të kampionatit

15:33 | 20 Shtator 2021

Një nga emrat më të spikatur për merkaton e verës ishte sulmuesi anglez, Harry Kane.

Anglezi u përfol gjatë gjithë verës se do të transferohej te Manchester City, me skuadrën e Pep Guardiolas që kishin 150 milion të gatshme për të ofruar për shërbimet e sulmuesit.

Sidoqoftë, presidenti i klubit të Spurs, Daniel Levy insistoi për ta mbajtur me çdo kusht anglezin në skuadër së paku edhe për një sezon.

Harry Kane duket se nuk është i shumë i motivuar për të luajtur për Spurs pas zhgënjimit për ta mos e lënë ti bashkohej Manchester Cityt.

Sulmuesi anglez nuk e ka nisur si duhet fillimin e kampionatit të ri të Premier Ligës, duke dështuar të shënoj në secilën nga katër paraqitjet e tij në kompeticion deri tani.

Përveç kësaj, Harry Kane ka pasur vetëm katër goditje në total pas katër ndeshjeve, dhe vetëm 10 prekje në zonën e portierit kundërshtar, që është një numër shumë i vogël për një sulmues, e aq më shumë për një sulmues të klasit botëror siç është anglezi.

Ky njëherit është starti më i dobët i anglezit që nga sezoni 2015/16 kur po ashtu nuk kishte shënuar pas katër paraqitjeve të para në kompeticion, megjithatë në fund të atij sezoni sulmuesi e kishte fituar Këpucën e Artë duke realizuar 25 gola gjatë asaj kampanje.

Mbetet të shihet nëse edhe ky mund të jetë një sezon me fat për 28-vjeçarin, që golat ti rezervojë për ndeshjet e ardhshme. /Lajmi.net