Forcat qeveritare libiane hynë në Bengazi

Pjesëtarët e ushtrisë së Libisë kanë hyrë të mërkurën në qytetin Bengazi, ku po zhvillohen luftime me ekstremistët islamikë, njoftoi ushtria e këtij vendi. 

Bota

22/10/2014 23:00

Zëdhënësi i forcave speciale, Melud al Zevi tha se forcat qeveritare, pasi kanë rimarrë vendin Benin, ku gjendet aeroporti, kanë marrë kontrollin edhe mbi disa lagje të tjera të Bengazit.

Ushtria, sipas fjalëve të tij, ka marrë kontrollin edhe mbi Sedi Kalif, një lagje e banuar dendur në pjesën lindore të Bengazit.

Kjo është hera e parë që ushtarët libianë hyjnë me autoblinda  në këtë qytet që nga muaji gusht, kur grupe të armatosura islamike njoftuan se e kanë vendosur kontrollin e tyre mbi këtë qytet port.

Nëpër rrjete sociale janë publikuar foto të shumta të ushtarëve duke puthur tokën, si dhe qytetarët duke përshëndetur ushtrinë dhe autoblindat e tyre.