Fondi prej 100 mijë eurosh, brenda dy javësh

Ragmi Mustafa thotë se Riza Halimi tradhtoi shqiptarët kur morri pjesë në Zgjedhjet serbe. Sipas tij, fondi prej 100 mijë eurosh do të transferohet brenda dy javësh. Ndërsa, konsideron se largimi i shqiptarëve nga kjo anë po sponsorizohet nga Qeveria e Beogradit.

Lajme

19/04/2014 19:08

Lugina e Preshevës pritet që shumë shpejtë të arkëtojë paratë e premtuara nga dy qeveritë shqiptare në mbledhjen e përbashkët që u mbajt në Prizren muaj më parë.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se fondi prej 100 mijë eurosh për ndërtimin maternitetin do të dredhet në llogarinë bankare të kësaj komune brenda dy jave.

Pjesëmarrjen e Partisë për Veprim Demokratik në Zgjedhjet Parlamentare, Mustafa e quan tradhti. Ndërsa, thotë se partia e Riza Halimit dhe Partia Progresiste Serbe e Aleksandar Vucic, kanë vjedhur në mënyrë masive votat e papërdorura nga shqiptarët e Luginës.

Në një intervistë për lajmi.net Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa thotë se largimi i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës po bëhet për shkak të represionit serb, e jo për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

Lajmi.net: Çfarë po ndodhë me fondin për maternitetin e Preshevës i premtuar nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë  gjatë muajit janar?

Ragmi Mustafa: Procesimi i premtimit të fondit prej 100 mijë eurosh është duke ndodhur si në Qeverinë e Republikës së Kosovës, por edhe në atë të Republikës së Shqipërisë. Konsideroj se Brenda 10 -15 ditësh do të kryhet transferimi i mjeteve në llogarinë bankare të Komunës së Preshevës të hapur në Bankën Popullore të Serbisë”.

Kanë qenë procesime shumë të vështira procedurale në lidhje me komunikimet që mungojnë në mes Serbisë dhe Shqipërisë aq më parë që është edhe i bllokuar në aspektin financiar ndërmjet autoriteteve të bankave të Republikës së Kosovës dhe të asaj të Serbisë. Megjithatë konsideroj me transferimin e këtyre mjeteve nga të dy Qeveritë që mund të kalojnë në llogarinë e Komunës së Preshevës në mënyrë që të shlyhen borxhet në lidhjen me projektin shumë madhor të të gjitha nënave në Luginën e Preshevës për maternitetin.

Lajmi.net: Në zgjedhjet Parlamentare të Serbisë që u mbajtën më 16 mars, Partia Demokratike Shqiptare refuzoi që të marrë pjesë. Cila ishte arsyeja që refuzuat këto zgjedhje?

Ragmi Mustafa: Bashkë me Partinë Demokratike Shqiptare në Preshevë, ishin edhe katër subjekte tjera politike dhe një grup qytetarësh, përveç Partisë për Veprim Demokratik, e cila doli nga një unitet i përbashkët i të gjithë qytetarëve në Luginës së Preshevës që të mos dalin në Zgjedhjet Parlamentare të Serbisë. Megjithatë, ne e kemi përmendur se nuk ka kushte për hyrjen e shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, përderisa në vitin 2013 kishin ndodhur një varg incidentesh nga aparati shtetëror serb ndaj shqiptarëve të asaj ane. Qysh në janarin e vitit 2013, ata morën lapidarin e dëshmorëve të kombit një vlerë historike të shqiptarëve.

Më pastaj problemet e vazhdueshme me tekstet mësimore të dhuruara nga Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës, për nxënësit shqiptar në Luginën e Preshevës që u konfiskuan në prani të mësuesve nga inspektorë policorë të ardhur nga rrethi i Vranjës. Këto trajtime cinike nga zyrtarët e Beogradit, bënin që shqiptarët të vazhdojnë akoma me metodat e rezistencës paqësore ndaj sjelljeve qeveritare, por megjithatë, konsiderojmë se është dhënë një sinjal drejtë Qeverisë në Beograd se shqiptarët janë akoma një problem dhe problemi i tyre duhet zgjidhur.

Lajmi.net: Ju thatë që nuk është ruajtur një unitet nga ana e Partisë për Veprim Demokratik e Riza Halimit. A ju tradhtojë Halimi?

Mund të deklarohem se na tradhtoi Riza Halimi. Por megjithatë është një gjendje sovrane që të vendos për orientimin e tij politik, por në këtë kontekst ka qenë i vetëdijshëm që me votat e Partisë për Veprim Demokratik nuk mund të shkojë, përveç se t’i keqpërdor votat e tjerëve gjë që ndodhi më 16 mars, kur partitë tjera nuk ishin pjesëmarrëse në Zgjedhjet Parlamentare.

Partitë tjera politike shqiptare që nuk kemi qenë pjesëmarrëse në Zgjedhjet Parlamentare nuk kemi pasur të drejtë të kemi anëtar të partive politike si komisioner në kutitë e votimit për t’i ruajtur votat për ata që nuk dalin, atëherë ata në mënyrë të pamëshirshme kanë vjedhur votat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që nuk kanë qenë pjesëmarrës në zgjedhje, por bashkëpunëtor në vjedhjen e votave ka qenë Partia Përparimtare e Serbisë. Dihet se në Komunën e Preshevës, por edhe të Bujanocit ku nuk ka pasur asnjë serb kanë dalë me qindra vota për Partinë Përparimtare Serbe.

Aty nuk ka pasur zgjedhe të lira, por ka pasur vjedhje masive dhe të tmerrshme të votës së lirë të papërdorur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Lajmi.net: Kohëve të fundit, një numër i madh i shqiptarëve të kësaj ane janë duke e braktisur Luginën e Preshevës. Pse po largohen ata?

Shqiptarët nga Komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjes largohen për shkak të represionit serb. Nga diktatura ushtarako-policore e Serbisë, shqiptarët ndihen shumë të pasigurt, ngase të gjithë ushtarët e UÇPMB-së që ishin angazhuar në luftën çlirimtare nga viti 2000-2001, një masë e konsiderueshme e tyre në mënyrë të padrejtë ishin arrestuar dhe mbaheshin në burgjet e Serbisë.

Këto metoda të mbajtjes në arrest të burgut qendror të Beogradit të ish-ushtarëve të UÇPMB-së ka bërë që të ndihen të pasigurt edhe qindra shqiptar të tjerë, që ishin pjesëmarrës në luftë.

Problemet që janë në fushën e arsimit, shëndetësisë, në qarkullimin e lirë dhe pasiguria ka bërë që të largohen një numër i madh i shqiptarëve. Largimi i tyre është i motivuar politikisht dhe i sponsorizuar nga Qeveria e Beogradit.