Fondi ‘diskriminues’ i trurit! (Video)

Dhjetëra zyrtarë që punojnë nëpër ministri, do të shpërblehen nga Qeveria me ekstra paga në emër të nevojës që ka shteti për ta. Të përzgjedhurit, do të paguhen në mënyrë retroaktive për nëntë muajt që nuk i kanë marr bonuset e Fondit për Kuadro, që ndryshe njihet edhe si “Fondi i trurit”.

Lajme

06/09/2015 22:22

Ndonëse ishte paralajmëruar ndalimi i këtij fondi, sivjet ai vetëm është zvogëluar. Për dallim nga vitet e mëhershme kur shuma e Fondit ka qenë milionëshe, këtë vit është 500 mijë euro.

Si rrjedhojë, ndryshe nga vitet e mëhershme kur të përzgjedhurit kanë marrë nga 800 deri në 1800 euro, sivjet ata do të marrin prej 100 deri në 500 euro.

Nga Administrata Publike thonë se Fondi për Kuadro për këtë vit është rregulluar më ndryshe sesa viteve të kaluara, duke shtuar se ende nuk dihet numri i personave që do të jenë përfitues të këtyre shtesave, pasi që kjo sipas tyre do të bëhet nga ndarja që do të bëjnë ministritë.

Mirëpo, kundër këtij fondi shprehen Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës, duke thënë se në momentin kur edhe ka hyrë në fuqi ligji mbi pagat dhe është përcaktuar ligji mbi pagat e nëpunësve civilë, Fondi për Kuadro është dashur të pushojë së ekzistuari.

Ndue Kalaj, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, tha se Fondi për Kuadro ka krijuar shqetësim të madh tek shërbyesit civilë, duke shtuar se ky fond është i paqartë dhe enigmatik.

Kalaj deklaroi se është paralajmëruar se në momentin kur fillon zbatimi i Ligjit mbi shërbyesit civil, Fondi për Kuadro do të shuhet sepse, sipas tij, është e papranueshme dhe jotransparente që një i përzgjedhur nga Ministria të merr një shtesë në pagë sa tri paga që i merr një shërbyes civil.

Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike, tha se ende nuk dihet numri i personave që do të jenë përfitues të këtij fondi, por se kjo sipas tij do të përcaktohet nga vet përzgjedhja e institucioneve. /Tribuna Channel

YouTube player