FOL evidenton 474 keqpërdorime të pozitës

Nëpërmjet platformës online të statistikave Anti-korrupsion, Lëvizja FOL mundëson që çdo qytetar të shohë punën e Gjyqësorit, Prokurorisë dhe Policisë, në luftën kundër korrupsionit.

Lajme

14/12/2013 12:33

Lëvizja FOL ka lansuar Platformën online të  Statistikave Anti-korrupsion. Kjo platformë përfshin monitorimin e tri institucioneve, Gjyqësorit, Policisë dhe Prokurorisë.

Fidan Kalaja, menaxher në Lëvizjen FOL, tha se kjo platformë- e para e llojit të vet në Kosovë- do të ju mundësojë qytetarëve që të shohin punën e këtyre institucioneve në luftën kundër korrupsionit, për vitin 2013.

Ai tha se kjo platformë ka 3 kategori kryesore: Marrjen e ryshfetit, dhënien e ryshfetit, si dhe keqpërdorimet e pozitave zyrtare. Poashtu këto kategori kanë edhe nënkategori përkatëse.

“Duke shkrirë punën katër vjeçare të ekipit të FOL-it në monitorimin e korrupsionit në Kosovë, organizata po bën një hap tjetër më të avancuar në përmbushjen e misionit të saj për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit duke krijuar një Platformë të Statistikave Anti-Korrupsion në Kosovë”.

“Këto të dhëna do të freskohen në vazhdimësi dhe kategori të reja do të krijohen për të zhvilluar më tej këtë qasje, e cila është jetike në veçanti për matjen e ndikimit të zbatimit të ligjeve, veprimeve dhe politikave anti-korrupsion në vend”.

“Ne, presim që këto të dhëna do të jenë të dobishme për institucionet tona, sidomos për sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor, që të reflektojnë dhe të rrisin efektivitetin e luftës kundër korrupsionit”.

Lëvizja FOL do ta lansojë këtë platformë në formë online, ku qytetarët kanë mundësi që të shikojnë punën e institucioneve dhe poashtu kanë edhe opsionin e krahasimit të punës në mes të institucioneve.

“Kemi një numër jo të kënaqshëm të angazhimit, numër të rasteve jo të kënaqshme të angazhimit të institucioneve pra prokurorisë, policisë dhe gjykatave në luftën anti-korrupcion, duke pasur parasysh se niveli i korrupsionit në Kosovë është i madh dhe pothuajse përfshinë të gjitha nivelet institucioneve të Kosovës”, ka thënë Kalaja.

Sipas tij, në Prokurori janë evidentuar 186 raste të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, në Polici 146 raste, dhe në Gjykata janë evidentuar 142 raste, dhe se për këtë të fundit Kalaja thotë se nuk përfshihen të dhënat për gjashtë mujorin e parë për shkak se gjyqësori nuk i ka dhënë të dhënat për këtë periudhë.

Kalaja tha se kjo platformë fillimisht është iniciuar që të përfshi të dhëna nga viti 2010, por duke mos pasur standardizim të statistikave të këtyre institucioneve, kjo që ka qenë e pamundur.

“Platforma është krijuar me qëllim që të përfshihen statistikat anti–korrupsion nga viti 2010, mirëpo për shkak të mos standardizimit të statistikave nga ana e këtyre institucioneve ka qenë e pamundur të përfshihen vitet e mëparshme”.

“Të dhënat të cilat do përfshihen në platformë do jenë për vitin 2013, për prokurorinë, gjykatat dhe policinë në baza tre mujore, pra Janar-Mars, Prill-Qershor dhe Korrik-Shtator”, tha Fidan Kalaja.