FMN kundër nismave të qeverisë për amnisti dhe heqje taksash

Fondi Monetar Ndërkombëtarë (FMN) ka rezerva për sa i përket amnistisë fiskale, heqjes së tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimit mbi fitimin për bizneset e vogla.

Lajme

02/07/2020 09:57

Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë për mediat mbrëmjen e së mërkurës, FMN shpreh shqetësim për këto propozime, të cilat vënë në diskutim përmbushjen e objektivave tatimore të qeverisë dhe lënë vend për evazion fiskal, korrupsion apo pastrim parash.

“Mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cenuara nga kriza është e përligjur, por ajo duhet të jetë e përkohshme, e mirëorientuar, transparente, si edhe e integruar në një program të besueshëm dhe të kujdesshëm buxhetor afatmesëm. Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel, i cili do të duhej të  përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat. Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cenonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore,” – thuhet në deklaratën për shtyp.

Qeveria ka propozuar së fundmi heqjen deri në vitin 2029 të tatimit mbi fitimin për të gjitha bizneset me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, si dhe heqje të TVSH-së për të gjitha bizneset me të ardhura deri në 10 milionë lekë.

“Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cenonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion,” – shton më tej FMN-ja, e cila parashikon për këtë vit humbje ekonomike për shkak të varësisë te sektori i turizmit, një nga më të goditurit nga pandemia e COVID-19.

Edhe pse FMN vlerëson se stabiliteti makroekonomik është ruajtur deri tani në Shqipëri falë “mirëmenaxhimit dhe kushteve lehtësuese financiare në botë”, ajo shton se “për të përballuar pasojat e pandemisë dhe të tërmetit është e nevojshme një rritje e konsiderueshme e deficitit fiskal në vitin 2020, për të mbështetur ekonominë dhe për të siguruar fonde për shpenzime në shëndetësi dhe për rindërtimin”.

Në këtë pikë FMN i këshillon qeverisë të shtojë “përpjekjet për të menaxhuar risqet fiskale në rritje, përfshirë PPP-të, gjithashtu duhet të forcohen si dhe cilësia e menaxhimit të investimeve publike duhet të forcohet”.

Deklarata e FMN-së erdhi pas një vizite pesëditore të një grupi përfaqësues, grup i cili u drejtua nga Yan Sun dhe që zhvilloi takime edhe me ministren e Financave, Anila Denaj.

FMN parashikon një vit të vështirë për Shqipërinë, me rënie ekonomike për shkak të efekteve të pasojave të tërmetit dhe pandemisë, ku ndikim do të ketë kryesisht te remitancat, tregtia dhe turizmi.