FMN është në rregull me Buxhetin 2014

Pëlqimin e FMN’së për Buxhetin 2014 e dha Shefi i Misionit në Kosovë të këtij institucioni financiar ndërkombëtar, Johannes Wiegand, në një takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Lajme

11/11/2013 14:24

Projekt-Buxheti për vitin 2014, të cilin Qeveria e Kosovës e ka dorëzuar në Kuvend, ka marrë “izën” e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Pëlqimin e FMN’së e dha sot Shefi i Misionit në Kosovë të këtij institucioni financiar ndërkombëtar, Johannes Wiegand, gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Shefi i Misionit të FMN’së, Johannes Wiegand, sqaroi se Projektligji për Buxhetin e Kosovës për vitin 2014 është dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe në pajtim me FMN’në. Ai vlerësoi se Buxheti është në rregull dhe se nuk pret të paraqitet ndonjë çështje problematike”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Wiegand, është shumë e rëndësishme që projektligji të shqyrtohet sa më parë në Kuvend, në lexim të parë, ndërkaq duke folur për çështjen e privatizimit të PTK’së, ai vlerësoi se “ka mundësi që të gjendet një rrugëdalje”.

Kryeparlamentari Krasniqi është shprehur se do të angazhohet që çështja e Buxhetit për vitin e ardhshëm të shqyrtohet sa më parë në Kuvend.

“Do të jem për respektim të procedurave dhe në shërbim të miratimit të Buxhetit”, tha Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.