Fluska e Ivicës dhe optimizmi i Editës

Gazetari Fahri Musliu thotë se ideja e Dacicit për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës është e pamundshme për t’u realizuar. Ashtu sikur është e pamundshme që Serbia ta njohë Kosovën në fund të dialogut të nisur.

Lajme

23/11/2013 06:15

Ivica Dacic nuk lë vend pa e përmendur që Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin kontestet mes vete nëse i hyjnë pazarit për shkëmbim territoresh.

Së fundi e tha në New York, në selinë e OKB’së, gjatë kësaj jave.

Kryeministri serb e do këtë opcion më shumë se të tjerët, por e ka një fat të keq.

Gazetari shqiptar që jeton në Beograd, Fahri Musliu thotë se në betejën për t’i bindur të gjithë për të mirat e këtij opcioni, Dacic është i vetëm, kundër të gjithëve.

“Dacic këtë floskulë po e përmend një kohë të gjatë, ama ky qëndrim i tij nuk ka hasur në mbështetje të asnjë subjekti tjetër politik në pushtet dhe opozitë në Serbi, e madje nuk e ka mbështetur as Kisha Ortodokse serbe si faktor i rëndësishëm në politikën serbe”, thotë Musliu, një njohës i mirë i politikës serbe dhe raporteve shqiptaro- serbe, në një intervistë për lajmi.net.

“Qëllimi i Dacic nuk është këmbimi i territorit me Kosovën, por bashkimi me Serbinë i katër komunave me shumicë serbe të pjesës Veriore të Kosovës dhe që pastaj, gjoja, t’i mundësohet Kosovës që, nëse do, të bashkohet me Shqipërinë”.

Por, Musliu thotë se Dacic tashmë e ka të qartë se kjo ide është e parealizueshme për shkak të qëndrimit të fortë kundërshtues të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe për shkak se një gjë e tillë do të përbënte shkelje edhe të vetë Kushtetutës së Serbisë.

Përveç këtyre, është frika nga i ashtuquajturi efekti domino ai që i bën ndërkombëtarët të mos krijojnë rrethana për t’u hapur kjo temë, pasi që shumë shtete përreth kanë telashe etnike dhe kësisoji vlerësohet se i kanë kufijtë e pasigurt. Vetë Serbisë, përpos Luginës së Preshevës, mund t’i dalë punë me hungarezët në Vojvodinë dhe boshnjakët në Sanxhak, vlerëson Musliu.

“Prandaj, tash për tash dhe në bazë të qëndrimeve të faktorëve vendimtarë ndërkombëtarë, ky opsion nuk është i mundshëm, edhe pse dorën në zemër ndoshta do të ishte i nevojshëm një rikomponim i Ballkanit, me çka ndoshta do të zgjidheshin çështjet kombëtare jo vetëm të shqiptarëve por edhe të serbëve”.

“Mirëpo kjo prapë është një ëndërr e cila zgjidhjen do ta ketë në integrimein e rajonit në Bashkimin Europian – që po e synojnë të gjitha shtetet e rajonit – kur kufijtë dhe sovraniteti i shteteve e humbin rëndësinë e vet”.

Musliu thotë se Marrëveshja e Brukselit e ka “zgjidhur” çështjen e Veriut dhe kjo pjesë e vendit hap pas hapi do të integrohet në shoqërinë dhe politikën kosovare.

“Nuk jam idealist të them se çdo gjë do të shkojë lehtë; do të ketë telashe të mëdha, ama Serbia ka obligim që të jetë konstruktive në integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Por, një obligim të madh e ka edhe Qeveria e Kosovës e cila deri vonë qytetarët serbë të Veriut nuk i ka konsideruar si qytarë e shtetas të Kosovës dhe nuk ka bërë gati asgjë për integrimin e tyre”.

Fahri Musliu thotë se retorika serbe e kohëve të fundit për praninë e Serbisë “edhe më tepër në Kosovë me anë të institucioneve legale” që do të formohen pas zgjedhjeve lokale i shërben krijimit të atmosferës dhe amortizimit të pakënaqësisë së shumicës serbe të pjesës veriore të cilëve 14 vjet u janë dhënë premtime boshe se do të jenë pjesë e Serbisë.

“E gjithë ajo politikë deri në ardhjen në pushtet të Qeverisë së re vitin e kaluar (2012) kur filloi një qasje reale ndaj Kosovës, ka pasur qëllim vetëm pasurimin e grupeve dhe individëve të ndryshëm në emër të patriotizmit të rrejshëm që edhe është quajtur ‘plaçkitja patriotike’, meqë Serbia për 14 vjet për serbët në Kosovës në Kosovë dhe të zhvendosur ka shpenzuar afro 7 miliardë euro”.

“Qeveria e re, në plan të parë Ivica Dacic, e më tepër Aleksandar Vucic, kanë marrë vendime të guximshme dhe popullatës ia kanë thënë të vërtetën se Kosova është humbur më 1999, se as Kushtetuta e as lufta e re nuk mund ta kthejë më në Serbi, por me mjete politike e me dialog të mundohemi të përfitojmë aq sa mundemi për poztitën e serbëve në Kosovë”.

Përderisa dialogu po vazhdon e implementimi i marrëveshjeve të arritura po nxjerr takime të tjera për nevoja të koordinimit, edhe Prishtina ka shprehur së fundi pritjet e veta nga ky proces.

Një ditë më parë, ZëvendësKryeministrja e Kosovës Edita Tahiri u shpreh se fundi i dialogut do të rezultojë me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Por, për Fahri Musliun, kjo pritje mund të jetë e ekzagjeruar.

“Fundi i dialogut që do të ndodhë besoj shpejt, do të rezultojë me rrumbullaksimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tash për çështje të ndryshme, siç quhen teknike, (edhe pse janë kryekëput politike), e jo me njohjen reciproke”.

“Serbia do ta njohë Kosovën atëherë kur t’i afrohet momenti për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, meqë ky edhe është kusht kryesor për anëtarësim, e të cilin e fshehin zyrtarët serbë edhe pse opinioni i Serbisë këtë e ka të qartë”, thotë Fahri Musliu për lajmi.net.