Fletëdështimet e KQZ’së

Dështimi i KQZ’së për t’i informuar qytetarët me kohë rreth mënyrës së votimit ka rezultuar me numër të lartë të fletëvotimeve të pavlefshme në rezultatet preliminare, thonë organizatat dhe njohësit e këtyre çështjeve.

Lajme

07/11/2013 11:57

Mazllum Baraliu, Ish-Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se janë dy mundësi pse fletëvotimet e pavlefshme edhe zyrtarisht nga KQZ mund të cilësohen të tilla.

Njëra i përket mospërgatitjes së KQZ’së, e tjetra dilemave të qytetarit.

“Ne jemi dëshmitarë që KQZ, faktikisht, nuk ka bërë kurrfarë përgatitje të rëndësishme, as ditën e votimeve, madje, që ta edukojë qytetarin tonë, ta orientojë atë mirë dhe ai të mos bëjë gabime pa qëllim në votim. Mirëpo, kjo është përgjegjësi serioze po aq sa edhe e KQZ’së dhe e KKZ’ve edhe e subjekteve politike, të cilat nuk e kanë marrë mundin ta bëjnë as këta këtë punë”.

“Ndërkaq, mundësia e dytë është që dikush, me qëllim, edhe kur i premton ndonjë subjekti politik që të dalë në zgjedhje, del në zgjedhje, por kur shkon atje, në vend se ta bëjë mirë, e bën me qëllim keq, ose nuk e voton, sepse ka shumë të themi arsye të cilat e bëjnë votuesin që të mos jetë i vendosur, të mos jetë i kënaqur me atë se dikush e lut, i ofron të votojë, pra, qoftë edhe anëtar i partisë apo aderues i asaj partie ose adhurues i saj dhe në fakt, qëllimisht, e prish”

Baraliu ka thënë se votat që nuk janë të vlefshme duhet të shpallen të pavlefshme.

“Ato duhet të shpallen të pavlefshme dhe dihet kur janë fletëvotimet, të përcaktuara edhe me rregullore, edhe me ligj, kur janë të pavlefshme, dhe në qoftë se janë, ashtu duke vepruar në bazë të ankesave të subjekteve politike të caktuara për një vendvotim apo për një kuti votimi, institucionet përkatëse, PZAP dhe të tjerat do të duhej të vepronin në frymën e kësaj gjendje, gjegjësisht, të këtyre fletëvotimeve, të cilat, në qoftë se nuk janë të vlefshme duhet të shpallen të pavlefshme”.