Flet selektorja e Kosovës pas fitores ndaj Turqisë: Mesfusha pjesa më e fortë, probleme në mbrojtje

Kombëtarja e Kosovës (vashat), kanë shënuar një fitore të madhe në përballje me Turqinë.

Sport

30/08/2019 22:07

Në kuadër të kualifikimeve për Evropian, Kosova ka triumfuar 2:0 kundër Turqisë, para tifozëve në ‘Fadil Vokrri’.

Pas kësaj fitore, komentet e saj rreth ndeshjes ka dhënë edhe selektorja e Kosovës, Afërdita Fazlija, e cila është shprehur e lumtur me paraqitjen, por ka pasur edhe rezervat e saj.

“Definitivisht është një fitore e madhe. Kemi pasur informata pak për kundërshtarin, pasi nuk kemi pasur mundësi ta përcjellim. Megjithatë, jemi përgatitur maksimalisht” ka thënë fillimisht trajnerja.

“U pa se patëm një 15 minutësh të parë të qetë, duke parë pozicionimin e kundërshtareve. E kemi dashur më shumë fitoren. Turqia realisht është një kombëtare e respektuar, por si trajnere gjithmonë duhet pasur besim” ka thënë tutje ajo.

“Arma kryesore e kombëtares sonë është mesfusha. Mesfushën e kemi atë pjesën që na jep mundësi që të bëjmë ndryshime taktike të lojës, megjithatë, mendoj se të gjitha vajzat dhanë maksimumin” ka bërë të ditur, Fazlija, duke identifikuar njëkohësisht pikën më të fortë të skuadrës së saj, por ajo tha disa fjalë edhe për çalimet e skuadrës.

“Këto ishin mundësitë tona, por ne nuk patëm shumë respekt për kundërshtaren në aspektin taktik. Problemi i vetëm ishin krahët e mbrojtjes, pas dëmtimit në pjesën e parë.”

Afërdita në fund foli edhe për synimet e skuadrës, duke pasur disa rezerva, dhe duke mos shikuar më larg se dueli i ardhshëm.

“Është vetëm ndeshja e parë dhe kemi një ekip që ndoshta vetëm në gjashtë muajt e fundit është formuar. Janë ekip i ri, me moshën 18 vjeçare mesatarisht. Do të mundohemi të kemi lojë të disiplinuar, por më gëzon fakti që ndeshja e parë erdhi me fitore.”

Mbetet të shihet se si do  të përgatitet skuadra për ndeshjen kundër Sllovenisë, kombëtare e cila sot është mposhtur nga Rusia. /Lajmi.net/