Flet drejtori Florim Shefqeti, mohon të ketë ftuar në hotel kandidaten që aplikoi për punë në OAK: Nuk e kam prekur me dorë

19:16 | 21 Tetor 2019

Sot, e hënë, lajmi.net raporti lidhur me pretendimet e një vajze (emër i njohur për redaksinë), se i janë kërkuar favore nga Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës, Florim Shefqeti për një pozitë pune në këtë institucion.

A.Q kishte bërë ankesë direkte në emailin e kryetarit të OAK-së, Osman Havolli, i cili nuk i ishte përgjigjur e më pas i është drejtuar edhe Këshillit Drejtues të OAK-së lidhur me drejtorin dhe favoret që ajo po pretendoni se i ka kërkuar ky i fundit.

Lexo edhe:

Skandaloze: Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës i kërkon kandidates që intervistën për punësim ta zhvillojnë në hotel

Në email thuhej se Shefqeti i kishte dhënë pyetjet e intervistës me shkrim kandidates ku edhe ajo e kishte kaluar pa problem pjesën e parë dhe kur kishte ardhur koha e intervistës me gojë, drejtori ekzekutiv i kishte propozuar të shkonin në një hotel për t’i shtjelluar pyetjet.

Ani pse nuk u përgjigj gjatë kohës kur e kishte marr në telefon disa here lajmi.net, Shefqeti është përgjigjur në disa nga pyetjet që lajmi.net i kishte nisur në emailin e tij zyrtar.

Shefqeti kategorikisht hedh poshtë përfshirjen e tij në rastin e ngacmimit, teksa shton se  kjo po bëhet për t’i dëmtuar imazhin.

“Duke qenë në situatë të përfoljes së emrit tim me qëllim të dëmtimit të imazhit në format më të rënda nga grupe të cilat edhe mund të jenë në bashkëpunim mes tyre, ju njoftoj që: Nuk është e vërtetë që unë kam ngacmuar jo vetëm personin në fjalë, por kurrë në jetën time asnjë person, dhe se kushdo që pretendon një gjë të tillë mundet të u drejtohet organeve të ndjekjes dhe jo të tentoj dëmtimin e imazhit përmes këtyre metodave të tilla e që tani tenton të u vë në lajthim edhe juve, sepse këtë e kanë tentuar edhe në medium tjera por pa sukses”, thotë drejtori i OAK-së.

Më pas shton: Faktin që asnjëherë nuk ka ndodhur ngacmim e ka pohuar edhe vet ankuesja nga emaili ku deklaron që “asnjëherë nuk me ka prekur” dhe ku i referohet që “kam dëgjuar që juve në Këshill Drejtues,, ajo asnjëherë nuk ka marr pjesë në këto mbledhje, e kjo shton faktin që si dhe nga kush paska dëgjuar se çka është biseduar në këto mbledhje.

Drejtori ekzekutiv thotë se nuk ia ka dhënë asnjë pyetje A.Q, dhe asnjëherë nuk ka kërkuar që të shkojnë në hotel.

Duke qenë se situata tashmë është bërë dramatike, Shefqeti thotë se nuk ishte ai përgjegjës dhe se nuk i ka dhënë kurrëfarë informacioni lidhur me testet kandidates.

“Nuk është e vërtetë që unë t’i kem ofruar pyetjet e as nuk kam kërkuar që të njëjtat t’i shtjelloj askund, kjo nuk qëndron në asnjë mënyrë, madje unë nuk e kam hartuar e as nuk kam qenë kryetar i Komisionit, kryetar ka qenë av. Teki Bokshi nga Gjakova dhe anëtar Shemsedin Piraj nga Gjilani, të cilët kanë pasur qasje në testimet e kandidateve e edhe i posedojë të skanuara në e-mail, të cilat i kanë pranuar menjëherë pas mbajtjes se testit.  Mundësia që pas kaq shumë muajsh për të thënë se i kam pasur pyetjet është shumë e thjeshtë për të pasur qasje në to sepse ato tashmë i kanë pasur një rreth i njerëzve të inkorporuar në këtë proces”, deklaron me pas lidhur me akuzën se ai e kishte thirrë vet në telefon A.Q për të qenë pjesë e konkursit.

Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës, nuk është përgjigjur në gjitha pyetjet që i ka bërë lajmi.net. Ai është përgjigjur se çfarë lidhje ka pasur me vajzën apo si e ka njohur atë?

“Poashtu ju ftoj që t’a pytesni ankuesen se nga ajo i din se kush janë anëtarët e Këshillit Drejtues dhe se ku ajo i mori email adresat e tyre, apo kush qëndron prapa gjithë kësaj. Poashtu ju ftoj ta hulumtoni edhe çështjen se i kujt është emaili anonym Antonio.qeta (gjej në bashkangjitje) nga kush ajo është njoftuar që unë jam mësim në UBT në Gjilan, dhe nga kush është njoftuar/udhëzuar se unë në dy vitet e fundit kam inicuar procedura disiplinore të pa bazuara…ku dhe si e din ankuesja, cilat janë kriteret e vlerësimit kur të gjitha procedurat disiplinore janë kofidenciale. Andaj me konsideratë ju lutem që të përmbaheni nga shkrimet dhe konstatimet që e dëmtojnë rëndë imazhin tim, pa i vërtetuar dhe verifikuar secilin pretendim, që i referohen ngacimeve sepse asnjëherë nuk ka ndodhur e as mundur të ndodh dhe e tëra është një orkestrim që bëhet nga persona të caktuar me qëllim të dëmtimit të imazhit por edhe për shkaqe familjare të mos përhapjes së këso lloj pretendimeve, dhe se personalisht kam disa dyshime te personave që fshihen pas saj e të gjithave me kohë u vije radha e ballafaqimit me përgjegjësinë e tyre”, thuhet më pas në përgjigjen e tij.

Lajmi.net nesër, e martë, sjell emailin anonim që A.Q kishte drejtuar kryetarit të OAK-së, e që Florim Shefqeti hedh shumë dyshime mbi të dhe përfshirjen e disa personave të tjerë.

Kujtojmë se lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli për të pyetur pse nuk është marrë parasysh reagimi i vajzës dhe çfarë masa janë marrë ndaj drejtorit ekzekutiv të OAK-së, por ai nuk ka dashur të komentojë rastin.

Havolli i tha lajmi.net, se është në një takim dhe për këtë çështje t’i drejtohet zyrës për informim, e cila deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje. /Lajmi.net/