Flet babi i Arben Ymerit i arrestuar te Manastiri i Deçanit

Babi i Arben Ymerit, njërit nga katër të arrestuarit në rrugën “Manastiri” në Deçan nga Policia e Kosovës, sepse iu gjetën armë pa leje, thotë se ka tre vjet që biri i tij sjellje më ndryshe se më parë.

Lajme

06/02/2016 22:44

Sylë Ymeri pohon se ai nuk i përkrahë versionet ekstreme të fesë islame dhe se ato nuk janë në përputhje me traditën kombëtare.

Ai, i intervistuar nga televizioni publik, ka kërkuar nga Bashkësia Islame në Kosovë që të ndërmarrë diçka kundrejt personave që indoktrinojnë të rinjtë në Kosovë.

Arben Ymeri dhe tre persona të tjerë u arrestuan me 30 janar në Deçan.

Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq,  kishte shkruar në llogarinë e tij në Twitter se të arrestuarit ishin “islamikë” dhe se arrestimi ka ndodhur pranë dyerve të Manastirit.

Ndërsa zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj, i pati thënë Klan Kosovës se arrestimi nuk ka ndodhur në afërsi të Manastirit, por në rrugën që mbanë këtë emër.

Katër të arrestuarve më pas u është caktuar një muaj paraburgim, për armëmbajtje pa leje, nga Gjykata Themelore në Pejë./RTK