Flasin për tranzicionin e EULEX’it

Hajredin Kuçi është takuar në Bruksel me përfaqësues të BE’së për të folur për riformatimin e misionit të EULEX’it. Në muajt në vijim pritet që takimet të intensifikohen, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për formën dhe natyrën e këtij misioni.

Lajme

16/01/2014 13:25

Zëvendëskryeministri, njëherësh edhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi po qëndron në Bruksel për të diskutuar me përfaqësuesit e Bashkimit Europian për rishikimin strategjik të misionit të EULEX’it, njofton Ministria e Drejtësisë.

Në një komunikatë për media thuhet se Ministri Kuçi është takuar me Hansjorg Haber i cili është Shef i Operacioneve Civile të BE’së, ku Kuçi ka paraqitur idetë e Qeverisë së Kosovës për tranzicionin e misionit të EULEX’it.

“Tranzicioni i këtij misioni që tashmë ka filluar në disa komponentë të misionit, pritet të intensifikohet në muajt në vijim”.

“Gjatë këtij takimi, Kuçi ka treguar për ngritjen e kapaciteteve të Kosovës që është bërë këto vitet e fundit, duke përfshirë këtu forcimin e organeve të sistemit të drejtësisë si dhe riformimin e gjyqësorit dhe legjislacionit”.

“Të dy palët kanë shkëmbyer idetë e tyre në lidhje me riformatimin e mëtejshëm të EULEX’it, formën dhe natyrën e mëtejshme të këtij misioni”.

“Takime në mes të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësueseve të BE’së për këtë temë do të zhvillohen edhe në muajt në vijim”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë.