Flasin analistët: Sa janë gjasat e Kosovës për kualifikimet në Kupën e Botës?

Pas afro dy muajve, Kombëtarja e Kosovës do zhvillojë ndeshjet kualifikuese në kuadër të Kupës së Botës.

Sport

06/07/2021 19:23

“Dardanët” nuk e nisën mirë këtë aventurë, duke pësuar humbje nga dy gjigantët, si Spanja dhe Suedia, shkruan lajmi.net.

Por, a ka gjasa që Kosova të kualifikohet në Kupën e Botës, duke marrë parasysh se në këtë “Euro 2020” kanë ndodhur disa befasi, siç ishte Hungaria që ia doli të barazoi me Francën dhe Gjermaninë, apo edhe rasti i Zvicrës që eliminoi Kampionin e Botës, Francën në 1/16 e finales.

Për këtë çështje, Lajmi.net, ka kontaktuar analistët e njohur, si Afrim Tovërlani, Faruk Statvoci, Arbnor Morina, si dhe sekretarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Salihu tha se nuk beson që Kosova do kualifikohet tutje duke marrë parasysh grupin e vështirë, por bëri të ditur se në Kampionatin Evropian të radhës, synimi i vetëm do jetë kualifikimi.

“Dorën në zemër, është vështirë me besu, pra shkojnë vetëm pa ekipe nga Evropa. Për mu, është jo reale me prit, por qa është reale se ekipi me u konsolidu më shumë, shembull me Danimarkën kemi luajtur 2-2, Çekinë e kemi mposhtur, por kjo nuk është gjithmonë pasqyrë, por është tregues që ne e kemi një ekip shumë premtues, këta kanë filluar të bëjnë përvojë”.

“Për mua, reale është që menjëherë që fillojnë kualifikimet për Evropian është reale me prit që na të kualifikohemi. Kjo është hera e parë që e thamë, por duhet me qenë synim kryesor që të kualifikohemi. Për Kampionat Botëror mendoj që duhet të shohim a ka prurje të reja dhe ekipi të konsolidohet me shumë”, deklaroi ai për lajmi.net.

Pesimist gjithashtu ishte edhe trajneri më i trofeshëm në Kosovës, Afrim Tovërlani, i cili për lajmi.net, theksoi se gjasat janë minimale, por deklaroi se beson në rast që do këtë prurje, atëherë “Dardanët” do përforcohen.

“Jo, nuk mendoj se në këto kualifikuese do kualifikohemi, sidomos pas dy humbjeve ndaj Suedisë dhe Spanjës. Shanset janë minimale që të kualifikohemi në këto kualifikuese”.

“Unë besoj që Kosova ka lojtarë të mirë dhe në rast që vijnë këta lojtarët që i përmende (prurjet e reja), atëherë ndoshta do kishim shanse”, nënvizoi ‘Toki’.

Ndërkohë, edhe analisti i njohur, tani trajner i KEK-ut, Faruk Statovci mendon se gjasat për këto kualifikuese janë të vogla shkaku i grupit të fortë, por kërkoi që të punohet me shumë me gjeneratat e reja, duke marrë parasysh se Kosova ka talentë të shumtë.

“Kampionate kur është me kualifikime ka gjithmonë befasi dhe gjithmonë ekzistojnë mundësitë, por realiteti është diçka tjetër sepse jemi në një grup shumë të fortë edhe kundër një Spanjë, Suedi që kemi pak probleme. Neve na ka penalizuar COVID-19 sepse ne jemi shtet i vogël dhe nuk kemi mundësi siç kanë Kombëtaret e tjera, si Italia, Anglia që janë më të mëdha”.

“Unë mendoj që Kosova ka të ardhme përpara, duhet punë shumë edhe pse unë shumë pak besoj këtë kualifikime në Kampionat Botëror sepse është grupi shumë i vështirë, është problem, por gjasat gjithmonë ekzistojnë, dëshira jonë është të kualifikohemi, në rast të kualifikimit do ishte diçka shumë e madhe, por duhet me punu me gjeneratat e reja që në të ardhmen me pas perspektivë edhe pse jo me u kualifiku sepse shumë shteteve iu kanë deshtë shumë vite, si Shqipëria dhe Maqedonia, me dekada kanë punuar për kualifikim të mundshëm. Ne e kemi pas rastin, ndoshta është dashur në mënyrë më të mirë me shfrytëzu, nuk është siç kemi dashur, nuk e kemi shfrytëzuar, shpresoj ta kemi sërish sa më parë të jetë e mundur, mendoj që kemi të ardhme të mirë”, përfundoi Statovci.

Kurse, ish trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina deklaroi se Kosova ka mungesa në disa nivele dhe sipas tij ne duhet të vazhdojmë të punojmë që të bëhemi pjesë e familjes Evropiane.

“Shpresa vdes e fundit, mirëpo edhe Zvicra dhe Çekia i kanë përputh disa para kushte për me mbërri deri këtu, ato janë kushtet e infrastrukturës, ushqimit të sportistëve, të njësisë sportive e disa tjera. Na nuk mundemi të jetojmë në ëndrra që kemi me bo diçka shumë të madhe kur e dimë sa mungesat i kemi në të gjitha nivelet”.

“Por, gjithmonë sportisti shpreson se ka me u bo ma e mirë edhe ma e dobishmja për sport, që të ecim përpara për me u bo pjesë e vërtet e familjes Evropiane të futbollit”, deklaroi Morina për lajmi.net.

Kujtojmë se Kosova gjendet në grupin B në kualifikimet për Kupën e Botës, derisa në dy ndeshjet e para, është mposhtur nga Suedia (0-3) dhe nga Spanja (3-1).

Me 2 shtator, Kosova do zhvillojë ndeshjen e tretë në grup si mysafir i Gjeorgjisë, pastaj pas tre ditëve do ta pret Greqinë në “Fadil Vokrri”./Lajmi.net/