Flasin analistët: Cili është shkaktari i humbjes së djeshme – a duhet të shkarkohet Christos Marmarinos

Dje, Kombëtarja e Kosovës pësoi humbje nga Kombëtarja e Norvegjisë me rezultat të ngushtë 92:95.

Sport

28/02/2022 14:25

Edhe pse ishim +15 pikë avantazh pas përfundimit të pjesës së parë, norvegjezët bën përmbysje ndaj “Dardanëve” në çerekun tre dhe katër duke e dërguar ndeshjen në vazhdime dhe pastaj arritën fitore në “Minatori”.

Pas kësaj humbje (e dyta radhazi ndaj Norvegjisë), është normale të këtë kritika për djelmoshat e Kosovës, e sidomos trajnerin Christos Marmarinos.

“Lajmi.net”, ka kontaktuar me dy analistët e njohur, Blerim Krasniqi dhe Ismet Ferati, që treguan nëse Marmarinos duhet të shkarkohet dhe cila ishte arsyeja kryesore e kësaj humbje të pësuar.

Krasniqi fillimisht tha se lojtarët po mendojnë që janë vetëm dy pjesë në basketboll, prandaj janë duke pësuar humbje gjithmonë në dy çerekët e fundit.

“Është një problem shumë i madh, fatkeqësisht edhe në takimet e tjera që i kemi pas, unë e kam vërejt se mendojnë që janë vetëm dy pjesë, e në basketboll janë katër pjesë. Ekipet e mëdha dëshmohen në dy çerekët e fundit, unë nuk e di si në vazhdimësi nuk po bëhen parapërgatitjet më herët, që të mos përsëritet si në të kaluarën. Edhe herën e fundit kemi pas të njëjtin problem, kemi avancuar, por e kemi humb lojën”.

Tutje, Krasniqi propozoi që të zhvillohen miqësore, në mënyrë që lojtarët të jenë më të parapërgatitur para këtyre takimeve të rëndësishme.

“Pra, ne e kemi kuptuar se janë vetëm dy pjesë, pra po përsëritet ajo që e kam thënë më herët, po grumbullohen shumë vonë. Në asnjë mënyrë nuk po gjejmë formën që të zhvillojmë miqësore para takimeve, kjo nuk po ndodh dhe po i humbim lojërat”.

Në fund, trajneri i njohur i basketbollit tha se tekniku grek nëse qëndron ose jo do varet nga ndeshjet.

“Për trajnerin është suksesi që ta vazhdojë punën, e në rast të mos sukseseve vjen dorëheqja dhe llogari dhënia pse ka ndodh kjo”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, tjetër mendim ka analisti, njëkohësisht trajneri Ismet Ferati. Ai theksoi se problemi i kësaj humbje ka qenë ana taktike dhe që trajneri grek le shumë për të dëshiruar.

“Unë e shikova lojën edhe realisht më së shumti ka munguar pjesa taktike dhe mendoj që trajneri që është momentalisht, nuk e ka përgatit skuadrën mirë kundër një ekipe të Norvegjisë, që është diku niveli i tretë apo i katërt të reprezentacioneve të Evropës, mos të them gati niveli i fundit sepse ne si reprezentacion jemi pjesë e ish Jugosllavisë edhe nëse e krahasojmë basketbollin që është luajt në trevat tona me atë të Skandinavi, mendoj që kjo humbje është pikëpyetje se ku është basketbolli i Kosovës sepse momentalisht nuk kemi kualitet”.

“Ajo që u pa në çerekun e tretë dhe të katër kanë qenë jashtëzakonisht të dobët nga trajneri grek edhe mendoj që ai trajner nuk është i denjë për të qenë në krye të Kosovës dhe shumica e lojtarëve duhet të pyesin vetën a kanë kualitet siç pretendojnë”.

Ferati gjithashtu theksoi se Marmarinos duhet të shkarkohet sa më parë, ngase sipas tij është trajneri më i dobët i huaj që ka drejtuar ndonjëherë Kosovën.

“Unë mendoj që qysh sot duhet të mendohet (shkarkimi). Prej të gjithë trajnerëve të huaj që ka qenë në krye të Kosovës, ky është më i dobëti”, përfundoi Ferati.

Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës në basketboll në këto parakualifikuese ka regjistruar një fitore (ndaj Danimarkës) dhe dy humbje (kundër Norvegjisë).

“Dardanët” do zhvillojnë edhe një përballje në këto kualifikuese, ndaj Danimarkës, që më shumë gjasë do jetë vendimtare për të parë nëse do arrijnë të ‘prejnë biletën’ për fazën kualifikuese./Lajmi.net/