Flakadani në Malishevë
Hashim Thaçi shkoi në Malishevë dhe atje u quajt “Njeriu i Shekullit”. U shpreh i bindur në fitore me të parën dhe premtoi 75 milionë euro investime në këtë Komunë.

Lajme
Hashim Thaçi përmendi të gjitha komunat dhe kandidatët e PDK’së për kryetarë të tyre ku është i bindur se partia e tij, PDK, do t’i fitojë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Kur erdhi radha te Malisheva, prej nga edhe po fliste, Kryetari i PDK’së e cilësoi fitoren në këtë komunë si “Flakadan për Kosovën”.
Aq i sigurt u ndie se do ta fitojë Malishevën me kandidaturën e Isni Kilajt saqë parashikoi fitore që në raundin e parë për të.
“Flakadani i fitores së PDK fillon në Malishevë, sepse PDK është e juaja, edhe ju jeni të Malishevës. Fitorja është e juaja. Urime!”, ka thënë Thaçi në tubimin që u mbajt në Sallën e Sporteve të këtij qyteti.
“Keni bërë shumë për Kosovën dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë të bëjë edhe më tepër për ju. Ju ftoj të vazhdoni me fushatën e qetë”.
“Edhe në Malishevë kam besim të plotë që do të fitojmë që në raundin e parë”.
“Ju keni guxuar për të luftuar dhe për të fituar në luftë dhe keni fituar. Sot guxoni të fitoni edhe në paqe”.
Thaçi e ka cilësuar Isni Kilajn si “njeriu i ndryshimeve në Malishevë”, ndërsa ka premtuar se nën qeverisjen e tij, Malisheva do të përfitojë investime në vlerë prej 75 milionë eurosh në periudhën e ardhshme katërvjeçare.
Ndërsa Isni Kilaj tha se qeverisja e Komunës nga PDK e ka larguar atë nga skamja dhe e ka futur në rrugën e zhvillimit.
Ai e quajti Hashim Thaçin si “Njeriu i Shekullit”.
“Atmosfera këtu po tregon se jemi në rrugë të mbarë, jemi me PDK’në. Mbështetja e juaj është e fuqishme dhe mbështetja juaj nuk është zbehur, por është shtuar”.
“Qeveria e mirë vazhdon për Malishevën Europiane. Urime fitorja qytetarë të Malishevës!”, ka thënë Kilaj.