Fjalor vulgar i paprecedent i presidenti pro-rus të Çekisë

Radioja e Çekisë ka njoftuar sot se do të vazhdojë të emitojë intervistën e presidentit Milosh Zeman, megjithë fjalëve të shumta vulgare që ka përdorur ai në atë intervistë. 

Bota

04/11/2014 18:29

Presidenti Zeman, dje, në intervistë së pari ka thënë se qeveria e vendit e ka “përmutur” njërin nga ligjet, pastaj anëtaret e grupit pank rus “Pussy Riot” i ka quajtur “kurva”, madje ka përdorur një fjalë edhe më vulgare.

Për arsye të fjalorit të tij opinioni publik ka reaguar ashpër, kurse kryeministri Bohuslav Sobotka ka vlerësuar se shefi i shtetit paraqet një shembull të keq për njerëzit e rinj dhe se “nuk i kontribuon reputacionit të Çekisë në botë”.

Presidenti i përcaktuar si pro-rus, ka thënë me intervistë ka dashur t’i “impresionojë” ithtarët e rivalit të tij të mëhershëm Shvarcenberg, pasi edhe ai gjoja shfrytëzon një leksik të tillë.

Zëdhënësi i Presidentit çek deklaroi se ai nuk do të kërkojë falje, sepse kësisoj ai e ka hapur debatin se a  është e lejueshme që në politikë të përdoren fjalë që konsiderohen vulgare.

Pas pjesës së parë të intervistës së tij, radios çeke i kanë arritur shumë ankesa dhe kërkesa që pjesët e tjera të intervistës të emetohen pas orës 22 dhe që të ketë paralajmërimin se nuk është e përshtatshme të dëgjohet nga fëmijët dhe të rinjtë.

Portali çek idnes.cz ka iniciuar një anketë me pyetjen: “A ju pengon kur shefi i shtetit flet fjalë vulgare?”. Deri tash në këtë anketë 28,699 njerëz janë përgjigjur me “po”, kurse vetëm 2,590 e tyre kanë dhënë përgjigje se kjo nuk i pengon.