Fjalor fyes dhe nivel i ulët edukate

Demokracia në Veprim thotë se gjuha fyese e përdorur gjatë fushatës mund t’i demotivojë votuesit për të marrë pjesë në zgjedhjet e balotazhit dhe të krijojë tensione.

Lajme

29/11/2013 11:50

Rrjeti vëzhgues i OJQ’ve, Demokracia në Veprim, ka bërë prezantimin e parregullsive të vërejtura gjatë këtyre ditëve në fushatën e subjekteve politike për balotazhin e 1 dhjetorit.

Ata kanë vërejtur kohëve të fundit ashpërsim të gjuhës ndërmjet kandidatëve. E, për këtë, kanë një thirrje për partitë politike dhe kandidatët e tyre.

“Ajo që është vërejtur kohëve të fundit është një ashpërsim i gjuhës ndërmjet kandidatëve që garojnë për balotazh. Ne vlerësojmë se kjo gjuhë mund të ndikojë në demotivimin e votuesve për të marrë pjesë në zgjedhjet për balotazh me 1 dhjetor”, ka thënë Shqipe Pantina nga demokracia në Veprim.

“Kemi parë një nivel më të ulët të edukatës se sa do të donim të prisnim. Akoma nuk po garohet me programe konkrete. Fushata është karakterizuar me akuza dhe kundërakuza të kandidatëve”.

“Ato gjithashtu rrezikojnë të krijohet një tension, prandaj ju bëjmë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të kursehen nga fjalori fyes dhe shfrenues dhe të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë”.

Pantina tha se gjithashtu edhe në këtë raund të fushatës është vërejtur pjesëmarrje e ulët e grave nëpër tubimet zgjedhore. Pjesëmarrja e tyre në çdo tubim elektoral është më e ulët se 5%.

“Kryesisht shihen meshkujt në këto tubime, por edhe në takime tjera. Prezenca e mangët e grave tregon se subjektet politike nuk janë të interesuara të krijojnë një klimë demokratike për përfshirjen e sa më shumë grave në aktivitetet politike”.

Sipas saj, po vazhdon ende përdorimi i aseteve publike për qëllime të fushatës.

“Vazhdojnë të përdoren makinat qeveritare por edhe asete tjera, po ashtu vazhdon pjesëmarrja e fëmijëve në tubime elektorale. Ka raste që ata përdoren për të bërë propagandë duke mbajtur pllakata apo flamuj të partive politike”.

DnV edhe këto zgjedhje do t’i vëzhgojë me 1500 vëzhgues ndërsa në komunat kryesore do të dalin edhe me rezultatet preliminare.