Fjalët zgjedhore për Mitrovicën

Kandidatët për të parin e Komunës së Mitrovicës kanë shpalosur programet e tyre qeverisëse. Flasin për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit, luftë ndaj korrupsionit, e infrastrukturë. Si gjithmonë, në fushata.

Lajme

21/09/2013 11:46

Edhe pse nuk ka filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore, kandidatët për kryetarë të komunave për zgjedhjet e 3 nëntorit kanë filluar të mobilizohen.

Kandidatët për Komunën e Mitrovicës, në një bashkëbisedim për Kosovapress, kanë shpalosur programet e tyre, me të cilat synojnë të marrin kolltukun e të parit të Mitorvicës.

Kryetari aktual i Komunës së Mtirovicës dhe kandidat i PDK’së për të marrë edhe një mandat tjetër tha se ka arritur t’i realizojë më se 90% e premtimeve të bëra në fushatën e kaluar.

“Programi zgjedhor të cilin e kam përgatitur dhe i cili do t’u jipet qytetarëve për ta vlerësuar, është një program që mundëson kushte më të mira për punësim, zhvillim ekonomik, mirëqenie, kualitet të jetës, prandaj qytetarët edhe për periudhën e ardhshme do të binden se unë si kandidat për kryetar komune ofroj zgjidhje më të mirë sesa të tjerët”

Ndërsa kandidati i LDK’së për këtë komunë Mehdi Jonuzi ka thënë se qytetarët e kësaj komune duhet ta votojnë LDK’në sepse është parti e vlerave.

“Qytetarët duhet ta votojnë LDK’në dhe mua si kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës për shumë arsye. Një prej arsyeve është sepse partia në pushtet nuk i ka kryer premtimet e dhëna. E dyta, ka rënie të vlerave me këtë qeverisje, ndërkohë që dihet se LDK është parti e vlerave.”

Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje Faruk Mujka  tha se alternativa qeverisëse e kësaj lëvizje bazohet në shtet ligjor, në zhvillim ekonomik dhe zhvillim i shtetit social.

“Vetëqeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje është në interesin e qytetarit në përgjithësi, për vetë alternativën qeverisëse të cilën e ofron dhe e cila bazohet në tre shtyllat kryesore. E para, shteti ligjor, pastaj zhvillimi ekonomik nëpërmes prodhimit dhe zhvillimi i shtetit social. Ne pretendojmë të kemi një komunë ku shoqëria do të ishte solidare, do të kishte barazi në mes të qytetarëve, si dhe bashkëpunim të mirëfilltë”.

Ndërsa kandidatja e pavarur Adriana Hodzic e cila ka synim që ta udhëheqë pjesën më problematike të vendit atë të veriut të Mitrovicës tha se ka për qëllim të ngrisë kualitetin e jetës të secilit qytetarë në pjesën veriut e Mitorvicës.

“Mua më intereson kualiteti i jetesës dhe dua të merrem me çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në kualitetin e jetës të secilit që jeton në Mitrovicën veriore. Besoj se shkollimi duhet të jetë në nivelin më të lartë, besoj se ne meritojmë një infrastrukturë më të mirë, kemi harruar totalisht kulturën dhe ka shumë hapësirë që të punohet në këtë drejtim.”

Kandidati nga të “Pavarurit e Mitrovicës” Nexhmedin Spahiu i cili kishte sfiduar në balotazh sa ishte pjesë e AKR-së kryetarin aktual Kastrati tha se qytetarët duhet të votojnë të pavarurit sepse ata mund të krijojnë njerëz të pavarur.

“Duhet që të lirohen nga krimi, korrupsioni, aktet kriminale, të cilat janë koncetruar së tepërmi në Mitrovicë dhe që gjithë kjo t’i mundësoj një zhvillim ekonomik Mitrovicës, çfarë e ka pasur dikur, dhe të cilin brezat e rinj nuk e kanë”