Fjalët e Hashim Thaçit para votimit të Speciales

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës po vazhdon përpjekjet e fundit që me çdo kusht t’i bind deputetët e partisë së tij që të votojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Seanca e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot në ora 10:00, ndërkaq GP i PDK-së është mbledhur paraprakisht.

Lajme

03/08/2015 09:33

Gazeta Blic nga burime të saja brenda PDK-së, ka marrë vesh që Hashim Thaçi u ka thënë deputetëve të partisë së tij, që nëse edhe sot nuk e votojnë amendamentin kushtetues, i cili i hap rrugë Gjykatës Speciale, atëherë do të dëmtohet e gjithë Partia Demokratike e Kosovës.
“Nëse e doni fundin e PDK-së mos e votoni Gjykatën Speciale. Si me Gjykatë, si pa Gjykatë, në momentin që ne nuk jemi në pushtet, do të jemi cak i aktakuzave të pushteteve që vijnë”, ka cituar ky burim fjalët e Hashim Thaçit.Sipas këtij burimi, në një moment Hashim Thaçi është “nxehur” tej mase, saqë i ka kërcënuar deputetët që votojnë kundër edhe me mos futje në listën zgjedhore.
“Nëse nuk votohet Gjykata Speciale, vendi shkon në zgjedhje dhe krejt faji në sy të ndërkombëtarëve është tek PDK dhe ne si parti e humbim primatin e partisë më të madhe në vend. LDK po shihet në pozitë më favorizuese tek ndërkombëtarët për shkak të unitetit që ka brenda saj për shkak të Gjykatës Speciale”, ka cituar ky burim brenda PDK-së, fjalët e Hashim Thaçit.