Fitorja është e të gjithëve

Kryeministri Thaçi thotë se zgjedhjet lokale ishin të një standardi të lartë. Ai falënderoi të gjithë ata, që sipas tij, kontribuan për një proces të mirë e të suksesshëm zgjedhor. Thaçi tha se ky proces zgjedhor ishte i përmasave të papara edhe për rajonin.

Lajme

03/12/2013 10:51

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar lartë procesin zgjedhor të ditës së diel, duke thënë se mbarëvajtje e mirë e këtij procesi është një sukses i madh për Kosovën.

Në  mbledhjen e qeverisë, të parën pas përfundimit të zgjedhjeve, Kryeministri Thaçi uroi spektrin politik dhe qytetarët e Kosovës për suksesin e organizimit të zgjedhjeve të raundit të dytë me 1 dhjetor, që sipas tij, ishin të një standardi të lartë.

“Mendoj se kjo është një fitore e të gjithëve, është një fitore për shtetin e Kosovës në procesin e konsolidimit dhe shtet ndërtimit, por edhe të zhvillimit dhe forcimit të demokracisë”.

“Organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës për herë të parë, është një sukses tjetër i rëndësishëm për shtetin tonë, për shoqërinë tonë, për institucionet tona në nivel qendror dhe lokal”.

“Më lejoni që të falënderoj edhe monitoruesit ndërkombëtar, të cilët ju përgjigjën thirrjes sonë që të jenë prezent në Kosovë; falënderoj Policinë e Kosovës, EULEX’in, KFOR’in, gjithë mekanizmin ndërkombëtar prezent në Kosovë për mbështetje të fuqishme, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të gjithë kontribuuesit për një proces të mirë, të suksesshëm, mund të them të përmasave të papara edhe për rajonin tonë”.

“E përsëris, merita më e madhe është e vetë qytetarëve dhe një ndërgjegjësimi dhe vetëdijesimi të lartë të skenës politike kosovare”.