Fitore diplomatike e Serbisë

Azem Vllasi thotë se dialogu politik i bëri favore Serbisë për datën për fillimin e negociatave. E Ardian Arifaj pohon se Serbia ka treguar përkushtim për t'i kryer detyrat, ndërsa Shqipëria nuk arriti ta bindë BE’në për ta marrë statusin e kandidatit.

Lajme

19/12/2013 07:53

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE`së, të martën kanë vendosur që t`i japin vizën Serbisë, për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, ndërsa Shqipëria humbi shansin për të marrë statusin kandidat.

Verdiktin e Brukselit, analistët kosovarë e vlerësojnë në mënyra të ndryshme .

Analisti politik, Azem Vllasi, thotë për lajmi.net se bisedimet politike Kosovë-Serbi  kanë qenë të akorduara për t’i bërë favore shtetit serb në mënyrë që të arrijë ta fitojë datën për fillimin e negociatave.

Azem Vllasi

“Krejt dinamika e bisedave në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel qe dy vite e këndej, ka qenë e akorduar për t`i bërë favore Serbisë në rrugën e kalimit të fazave të ndryshme drejt anëtarësimit në Unionin Europian”.

“Fillimisht ishin si një kusht bisedimet me Kosovën dhe varësisht nga rezultatet nga këto bisedime si quheshin ishte për ta marrë statusin e kandidatit Serbia për anëtarësim pastaj vazhduan bisedimet për ta fituar datën e fillimit negociatave  dhe tani të gjitha ato qëllime Serbia i ka arritur”.

Pas raportimit pozitiv të Përfaqësues se lartë për Politik të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, që njëherësh ka qenë ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, kjo e fundit ka marrë dritën e gjelbër nga këshilli i ministrave të BE`së që të filloj negociatat për tu anëtarësuar nën ombrellën e Bashkimit Europian.

Në muajin janar të vitit të ardhshëm pritet të fillojnë negociatat sipas komisionarit për Zgjerim Shtefan Fyle.

Ardian Arifaj

Por analisti tjetër kosovar Ardian Arifaj e shpërblimin që i dha këshilli i ministrave të BE`së, Serbisë e cilëson si fitore diplomatike të shtetit fqinjë.

Në një prononcim për lajmi.net, Arifaj ka thënë se Serbia ka qenë e përkushtuar që t`i kryej etyrat e shtëpisë.

“E vlerësoj si sukses diplomatik i Serbisë. Në fakt, në teren, Serbia nuk po i implementon marrëveshjet që i ka arritur me Kosovën por ka arritur ta bindë Brukselin që është e përkushtuar për t`i implementuar  të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu dhe pasta është shpërblyer”.

“Serbia ka treguar që është e përkushtuar në implementimin dhe kryerjen e të gjitha detyrave të shtëpisë e që ia vë Brukseli dhe për këtë është shpërblyer”.

Analisti  Arifaj shtoi se Shqipëria nuk mori statusin kandidat për arsye se nuk ka arritur ta bindë Brukselin.

“Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Shqipëria. Shqipëria ka një qeveri të re në pushtet dhe nuk ka arritur ende ta bindë Brukselin në përkushtimin e vet, ose më mirë të themi Brukseli ka kërkuar më shumë kohë që të bindet në përkushtimin e Qeverisë së re shqiptare për t`i kryer detyrat e shtëpisë”, ka thënë Arifaj.