Fitojnë Feronikeli e Prishtina, Drenica merr një pikë në Prizren

Sot janë mbyllur edhe tri ndeshje të xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Sport

10/03/2019 15:24

Dy ndeshjet me vëmendjen më të madhe ishin ajo mes Feronikelit kundër Gjilanit dhe KEK-u kundër Prishtinës.

Liderët e tabelës arritën që para tifozëve të vet ta mposhtin skuadrën e Gjilanit, me rezultatin 3:0, shkruan lajmi.net.

Ishte Kastriot Rexha lojtari i ndeshjes, i cili realizoi dy gola dhe i mundësoi skuadrës nga Drenasi që të vazhdojë e qetë në krye të tabelës. Një gol në fitoren e Feronikelit shënoi edhe Zeka, në minutën e 86’.

Në anën tjetër, skuadra nga kryeqyteti, Prishtina, arriti që të marrë tri pikë nga udhëtimi në Obiliq, ashtu siç është pritur.

‘Bardh e kaltrit’ triumfuan me rezultatin 1:2, me golat e Armend Dallkut dhe Jasharoskit. Për vendasit golin e vetëm e realizoi Qerimi.

Edhe një ndeshje në këtë orar është luajtur ndërmjet Lirisë dhe Drenicës, ku ndeshja u mbyll me rezultatin 1:1.

Për Lirinë realizoi Karahoda, kurse për mysafirët nga Drenica ishte Pasoma që shënoi për të siguruar një pikë nga ky udhëtim.

Me këto rezultate, Feronikeli vazhdon të jetë në krye të tabelës me 52 pikë pas 22 xhirove, me Prishtinën në vendin e dytë me pesë pikë më pak. /Lajmi.net/