Fitim Humbësi

PDK i uron mbarësi Fitim Selimit dhe rikonfirmon mbështetjen për Shukri Bujën drejt rikonfirmimit si kryetar i Lipjanit. PDK thotë se Fitim Selimi nuk përfaqëson më vizionin e partisë.

Lajme

12/09/2013 16:03

Një ditë pasi është zyrtarizuar si kandidat e AAK’së për Kryetar të Lipjanit, Fitim Selimi ka marrë një urim dhe një falënderim nga partia e dikurshme.

Në pamundësi për t’ia marrë fronin nga brenda Shukri Bujës, Selimi zgjodhi AAK’në e Ramush Haradinajt për t’i shkuar deri në fund ambicies për të parin e komunës. Ai mori me vete 19 anëtarë të kryesisë së degës të pakënaqur me Bujën.

PDK ka thënë sot se përmes qeverisë lokale dhe qendrore ka arritur të investojë dhe ta transformojë Lipjanin përmes ndërtimit të objekteve shkollore dhe investimeve tjera.

“Partia Demokratike e Kosovës respekton vullnetin e lirë të çdo individi për angazhim personal. PDK falënderon Fitim Selimin për angazhimin e tij të deritanishëm dhe i dëshiron mbarësi në jetën e tij personale”.

“Fitim Selimi, më tej nuk përfaqëson vizionin e PDK-së, dhe ne besojmë as vlerat dhe parimet e qytetarëve të Lipjanit”.

“Vendimi i tij per t’iu bashkuar një subjekti tjetër politik është një dallim i qartë, si në esencë ashtu edhe në vizion. PDK-ja, si vlera dhe qëllime të saja, përfaqësohet nëpërmjet Kandidatit Shukri Buja, i cili ka mbështetjen e të gjitha strukturave të partisë”.