Financuesit sekretë të politikës

Ligji për Financim të Partive Politike parasheh se subjektet politike mund të shpenzojnë deri në 800 mijë euro për fushatë. Por, organizatat joqeveritare shprehin shqetësimin e tyre se mostransparenca e financuesve të partive politike ende vazhdon të jetë fenomen në Kosovë.

Lajme

23/04/2014 11:07

Sipas Ligjit për Financimin e Partive Politike të gjitha subjektet politike kanë të drejtë të shpenzojnë për fushatë zgjedhore deri në 800 mijë euro. Ligji parasheh që partitë politike të shpenzojnë për çdo votues nga 50 cent, ndërsa në komunat që kanë më pak se 5 mijë banorë, partitë mund të shpenzojnë 70 cent për banorë.

Përkundër që ekziston ligji për deklarimin e financimeve të subjekteve politike, personat apo dhe kompanitë që dhurojnë paratë e tyre në parti politike, ende mbeten “sekret partiak”.

Partitë më të mëdha politike thonë se ata nuk tejkalojnë shumën e caktuar me ligj, por kështu nuk mendojnë edhe organizatat e ndryshme qeveritare.

Fidan Kalaja nga Lëvizja “FOL”, ka thënë për “Zëri” se mënyra e financimit të partive politike mbetet një nga anët më të errëta, të cilat shpërfaqen sidomos afër dhe gjatë fushatës elektorale. Ai tha se ky proces është përcjellë me jo transparencë të madhe.

Edhe Lorik Bajrami nga Organizata “Çohu”, tregon se organizata e tij ka kërkuar disa herë të ketë qasje në xhirollogaritë bankare të partive politike, por një gjë e tillë nuk iu është lejuar.

“Dihet se partitë politike gjatë fushatës elektorale shpenzojnë shumë të mëdha parash, dhe duke marrë nga burimet alternative i tejkalojnë shpenzimet e KQZ-së. Kjo reflekton mostransparencën e forcave politike, të cilat në asnjë rast nuk i kanë bërë publike tejkalimet që i kanë në garën elektorale që i marrin në forma të ndryshme”, tha ai, raporton “Zëri”.