Finalja e Kupës, më 7 qershor

Finalja e Kupës së Kosovës do të luhet më 7 qershor në Prishtinë. Ky është vendimi përfundimtar i Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila i caktoi edhe terminet e barazhit.

Sport

29/05/2014 17:57

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, është mbledhur të enjten, nën drejtimin e nënkryetarit Agmi Ademi, ku ka diskutuar për shumë çështje të futbollit kosovar. 

KE, pas një analize të bërë, ka marrë vendim që ndeshja finale e Kupës së Kosovës të zhvillohet më 7 qershor në orën 17.00 në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Ndërkaq, ndeshjet e barazhit për Superligë do të zhvillohen më 3 e 4 qershor në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

Më 3 qershor do të zhvillohet ndeshja ndërmjet skuadrës e cila renditet në vendin e 9-të në Raifeissen Superligë dhe skuadrës së Ligës së Parë që do të renditet në vendin katërt.

Ndërsa, më 4 qershor do të zhvillohet ndeshja ndërmjet skuadrës e cila renditet në vendin e 10-të në Superligë dhe skuadrës së Ligës së parë që renditet e treta. Ndeshjet do të zhvillohen nga ora 17.00.