Filmi për masakrat në Pejë, shfaqet në Kongresin Amerikan (Video)

Filmi do të shfaqet në Uashington në orën 16:00 (sipas kohës lokale) në ndërtesën e Dhomës së Përfaqësuesve.

Lajme

03/03/2016 10:43

Filmi dokumentar “Të Paidentifikuarit” në të cilin përshkruhen disa nga krimet më brutale të forcave serbe në Kosovë do të shfaqet sot në Uashington.

Filmi 40 minutësh “Të Paidentifikuarit” që është prodhim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) hulumton disa krime të luftës të kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës, në pranverë të vitit 1999 në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq.

Bazuar në hulumtimin dyvjeçar, filmi fokusohet në sulmet ndaj fshatrave të komunës së Pejës dhe identifikon komandantët dhe oficerët e dyshuar të kenë dhënë urdhra dhe t’i kenë zhvendosur trupat e viktimave në një varr masiv në Serbi.

Në mesin e të dyshuarve kryesorë është edhe personi që dyshohet për vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi, shqiptarë me shtetësi amerikane për të cilin nuk është akuzuar e gjykuar ende askush në Serbi.

Pas shfaqjes së dokumentarit do të mbahet një debat në të cilin do të marrin pjesë Diane Orentlicher, profesoreshë e të Drejtës Ndërkombëtare në Kolegjin e të Drejtës në Uashington; Marija Ristiq, regjisore e filmit, dhe Fatos Bytyqi, vëllai i Ylli, Mehmet e Agron Bytyqi, të vrarë nga forcat serbe pas luftës së Kosovës.

Shfaqja e filmit është organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut i Kongresit ‘Tom Lantosh’ dhe do të mbahet në Uashington në orën 16:00 (sipas kohës lokale) në ndërtesën e Dhomës së Përfaqësuesve.

YouTube player