Film për dialogun Kosovë-Serbi

Filmi “Marrëveshja” trajton kontekstin historik të çështjes së Kosovës si dhe përshkruan biografitë e kryenegociatorëve të tria palëve, Kosovës, BE’së dhe Serbisë.

Lajme

13/11/2013 08:55

Një regjisore daneze ka bërë një film dokumentar për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluara në Bruksel .

Premiera e filmit “Marrëveshja” i regjisores Karen Stokkendal Poulsen është shfaqur në Kopenhagë ndërsa musafirë në këtë premierë kanë qenë Zëvendës kryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri e cila ka drejtuar delegacionin kosovar në këto bisedime teknike dhe Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në këto bisedime Robert Cooper. I pranishëm ka qenë edhe Amabsadori i Kosovës në Gjermani dhe Danimarkë, Skënder Xhakaliu si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Danimarkë, Arben Cici.

“Filmi dokumentar ‘Marrëveshja’  i realizuar nga kompania daneze e filmit “Bullitt Film” trajton procesin e bisedimeve teknike mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian dhe në të janë paraqitur momente nga procesi negociator për dy nga marrëveshjet e arritura, të marrëveshjes së IBM dhe atë të bashkëpunimit rajonal”.

“Filmi trajton kontekstin historik të çështjes së Kosovës si dhe përshkruan biografitë e kryenegociatorëve të tria palëve, Kosovës, BE’së dhe Serbisë”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Pas premierës së filmit, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri së bashku me ish-ndërmjetësin e BE’së Cooper dhe regjisoren Karen Stokkendal Poulsen, kanë zhvilluar një debat ku bënë vlerësimet dhe kritikat për filmin si dhe u përgjigjen në pyetjet e ndryshme nga ana e pjesëmarrësve.