Fillon vlerësimi i dëmeve nga përmbytjet në Tetovë

Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve nga përmbytjet e para një jave në Tetovë dolën në terren për të regjistruar dhe konfirmuar dëmtimet. Inspektimi filloi nga fshati Reçicë e Madhe, ndërkohë që në ditët në vijim do të vizitohen të gjitha rajonet e prekura.

Lajme

10/08/2015 19:01

Ekspertët siguruan se vlerësimi do të jetë real ndërkohë që do të regjistrohen të gjitha dëmet nga pasuritë e patundshme deri te automjetet dhe makinat e tjera, përfshi edhe tokat bujqësore, raporto Alsat-M.

“Do të vizitohen afër 400 shtëpi, do të bëhet regjistrimi i çdo materiali të dëmtuar, pastaj do të dalë me rezultat konkret se sa është dëmi i shkaktuar nga vërshimet. Realisht do të ketë vlerësim të drejtë përveç nga ana e Zyrës Gjyqësore për Vlerësim do të na dalin në ndihmë edhe nga UNDP-ja të cilët kanë deleguar specialistë të fushave të ndryshme me vlerësues”, theksoi Ejup Halimi, Kryetar i Komisionit për vlerësimin e dëmeve.

“Kemi ardhur në terren të bëjmë vlerësimin e dëmeve që kanë ndodhur në pasurinë e patundshme, të tundshme, automjet dhe makinat e tjera bujqësore… Do të mundohemi në mënyrë të detajuar të bëjmë regjistrimin e dëmeve dhe në bazë t ë saj me objektivitetin më të madh do të bëhen edhe vlerësimet”, tha Zijadin Sallai, Byroja për ekspertizë gjyqësore dhe vlerësime.

Kryetari i Reçicës së Madhe Murtezan Ibishi njoftoi se vetëm në këtë fshat janë dëmtuar rreth 70 shtëpi ndërkohë që fshati është një vatër e mundshme për përhapjen e ndonjë epideime.

“Prej rrënimeve që u bënë janë diku rreth 68-70 shtëpi, pra janë shumë të dëmtuar, me frigoriferë, televizorë, bodrumet e shtëpive janë të dëmtuara. Mund të përhapen edhe epidemi pasi ka nisur të vijë një erë e rëndë, njerëzit kanë frikë të qëndrojnë në vendbanimet e tyre”, u theksoi Murtezan Ibishi, Kyretar i Fshatit Reçicë e madhe.

Banorët ndërkaq janë të shqetësuar nëse dëmet e tyre do të kompensohen në mënyrë të drejtë dhe reale.

“Ne kemi dëme rreth 10 mijë euro, vijnë doktorët thonë se duhet të pastrohet, vijnë prej komunës thonë që mos të pastrohet, n e tani nuk dimë çfarë të bëjmë. Këtu kanë qenë krejt me kompjuter, me televizor, dhe kuzhina krejt është prishur.. Ne çfarë themi nuk i pranojnë dëmet e tona… Le të vijnë le të shohin. Ne na shpëtoi ushtria sepse nuk vinin të pastrojnë, ne i hodhëm të gjitha sepse doktorët thanë se nuk guxojmë t’i mbajnë, tani komuna thatë se nuk guxoni t’i pastroni, ne nuk dimë çfarë të bëjmë”, theksoi një banor.

“Ka shumë dëme këtu. Komisioni ka ardhur t’i vlerësojnë… premtime ka shumë por sa do t’i realizojnë, nuk e dimë”, tha një banor.

Sipas të dhënave të deridjeshme të Komisionit për Vlerësimin e dëmeve, bëhet fjalë për 500 shtëpi të rrafshuara ose pjesërisht të dëmtuara, rreth 90 makina, 10 traktorë, furgonë dhe ekskavator, ndërkohë që në listë figurojnë gjithashtu edhe dëmet që kanë pësuar tokat bujqësore. Nuk ka një afat të caktuar kur pritet përfundimi i vlerësimeve, megjithatë thekso het se ai do të përfundojë maksimalisht, në mënyrë që qeveria të lëshojë paratë e dëmshpërblimit për banorët. Ndërkohë, paralelisht me regjistrimin e dëmeve, qytetarët e prekur nga përmbytjet po regjistrohen edhe për dezinfektimin e shtëpive të tyre, për të parandaluar paraqitjen e ndonjë sëmundjeje. Nga ana tjetër shtabet emergjente vazhdojnë grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave, në ndihmë të familjeve që kanë mbetur në qiell të hapur.