Fillon restaurimi i një sërë objektesh (Foto)

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare-Gjirokastër ka ndërmarrë gjatë ditëve të fundit disa aksione, ku monumente apo objekte të kategorive të ndryshme si Ura e Përroit të Bënjës (Përmet), banesa “Reso”, “Çabej”, “Adem Zeko” apo edhe “Kroi me Kupolë i Selckës (fshati Selenicë) i janë nënshtruar së fundmi procesit të punimeve, të mirëmbajtjes dhe restaurimit.

Lajme

29/10/2015 20:55

Të cilësuara si “ndërhyrje emergjente” nga specialistët e DRKK-së Gjirokastër, urat, objektet apo monumentet gjithnjë në moton “të ruajmë dhe mbrojmë trashëgiminë, falë ndërhyrjes së profesionistëve (specialistët arkitektët dhe inxhinierët) e kësaj drejtorie kanë realizuar dhe po vazhdojnë të realizojnë një punë intensive lidhur edhe me mbijetesën e tyre edhe kundra fenomeve natyrore.

DRKK-Gjirokastër ka bërë me dije së fundmi se ndërsa është duke u punuar te banesa “Reso” dhe punimet aty po shkojnë drejt përfundimit, ka filluar ndërkohë edhe  ndërhyrja në banesën “Çabej”.

Sipas specialistëve të kësaj drejtorie kjo nismë është cilësuar si një ndërhyrje emergjente shpëtimi, pasi një ndërhyrje e vitit 2006 dhe më pas më 2009, kanë qënë ta pa plota dhe të pamjaftueshme dhe si pasojë erkeri nga krahu verior i shtëpisë shfaqen probleme konstruktive me rrezik shembje.

Edhe “gjunjët “ prej guri që mbajnë erkerin janë të dëmtuar dhe në një farë mënyre dhe kanë humbur funksionin e tyre të plotë.

 

Po gjatë ditëve të fundit, nuk ka munguar edhe ndërhyrja në banesat dhe godinat në Pazarin Historik, në të cilat është investuar apo ndërhyrë jo më shumë se 6 apo 7 vite më parë, duke u përballur jo vetëm me ndërhyrje të pamjaftueshme, por edhe me probleme të karakterit teknik.

Ndërkohë që listës së gjatë të ndërhyrjeve në objekte të ndryshme nga ana e DRKK-së Gjirokastër, i shtohet edhe banesa “Adem Zeko”, ku punimet e mirëmbajtjes kanë përfunduar falë duarve të arta të mjeshtërve të kësaj drejtorie, nga të cilët DRKK-Gjirokastër veçon specialistin Rifo Huso.

Edhe në sektorin-Përmet dhe Tepelenë , gjithashtu kanë filluar punimet për restaurimin e “Urës në Përroin e Bënjës”.

Specialistë që po realizojnë këtë ndërhyrje, falënderojnë banorët për përkrahjen dhe ndihmën duke qenë se me mjete të pakta, kanë hasur edhe vështirësi transporti, ku spostimi i materialeve realizohet me këmbë dhe kafshë, falë përkushtimit edhe të banorëve të zonës.

Sakaq, pas investigimit në terren të monumenteve të kategorisë së parë e të dytë në gjithë territorin nën administrimin e kësaj drejtorie, ka filluar puna edhe për projektin e “Kroit të Selckës”, hartuar nga specialistët, arkitektët dhe inxhinierët e DRKK – Gjirokastër.

“Kroi me Kupolë i Selckës”, i cilësuar nga specialistët si monument unik për nga tipologjia dhe teknika e realizimit, paraqet një gjendje jo të mirë statike, gjë e cila rrezikon ekzistencën e tij.

Kroi është Monument i Kategorisë së Parë i shpallur me Nr. vendimi 786/1 dhe Datë, 05.11.1984 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës (Drejtoria e kulturës) e asaj kohe.

Monumenti ndodhet në fshatin Selckë në ish komunën e Pogonit por që historikisht njihet si fshati i fundit i krahinës së Lunxhërisë, krahinë kjo e famshme për ndërtuesit e veprave hidraulike.

Fshati ndodhet në një lartësi prej 800 m mbi nivelin e detit dhe arrihet përmes një rruge tepër të dëmtuar e të pa asfaltuar që kalon nga Gryka e Selckës e që shkon në krahinën e Pogonit e Zagorisë.

Fshati ndodhet në një distancë prej 32.9 km nga Gjirokastra.

Ky projekt është hartuar edhe si kërkesë nga banorët e fshatit dhe sipas raportimeve që ata kanë bërë pranë DRKK – Gjirokastër, është në pritje të financimit.

Projekti sqaron ndërhyrjen restauruese të nevojshme për rikuperimin e rivlerësimin e monumentit dhe për eliminimin e rrezikut.