Filloi punën Këshilli për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë Dr. Imet Rrahmani filloi sot punën Këshilli përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Lajme

10/08/2015 16:28

Ministri Rrahmani me këtë rast tha se reforma e sistemit shëndetësor është vënë në krye të agjendës politike të tij, ndërsa ndryshimi i sistemit të financimit në shëndetësi, paraqet njërën prej shtyllave kryesore të kësaj reforme.

“Me vendimin e Qeverisë për aprovimin e Rregullores për organizimin e brendshëm të Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë si pararendëse e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore janë krijuar parakushtet ligjore për themelimin dhe funksionalizimin e Këshillit përgatitor, detyrë e të cilit do të jetë jetësimi i parakushteve për operacionalizimin e AFSH-së dhe sigurimin e infrastrukturës dhe kushteve të tjera për shndërrimin e AFSH-së në Fond të Sigurimeve Shëndetësore”, tha Ministri.

Ai tha se MSH, në Ligjin për Sigurime Shëndetësore ka paraparë një model të kombinuar të financimit, ndërsa bazuar në zhvillimet aktuale, mbledhja e pre miumeve apo kontributeve është planifikuar të fillojë në tre mujorin e fundit të këtij viti dhe për ta arritur këtë, theksoi Ministri Rrahmani, MSh tashmë ka përgatitur të gjitha aktet nënligjore, të cilat do të mundësojnë fillimin e mbledhjes së tyre.

Rrahmani tha se detyrat e këtij Këshilli përpos të rëndësisë ligjore janë edhe historike, prandaj, “bashkërenditja e angazhimeve të të gjithëve drejt përfundimit të kësaj sfide janë një detyrim më shumë”.

Në takim, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë, dr. Arsim Çavdarbasha, ka njoftuar anëtarët e Këshillit me të gjitha aktivitetet e kryera deri më tani në plotësimin e infrastrukturës ligjore, ngritjes së kapaciteteve të Agjensionit dhe fazat e planifikuara të fillimit të zbatimit të sigurimeve shëndetësore, duke filluar me mbledhjen e premiumeve, e më vonë edhe me kontraktimin e shërbimeve shëndetësore dhe ofri min e tyre.

Këshilli i themeluar me vendim të Ministrit të Shëndetësisë udhëhiqet nga vetë ai, ndërsa në përbërjen e tij janë edhe: ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Financave, Agim Krasniqi, kryetari i Odës së Stomatologëve të Kosovës, Kujtim Shala, kryesuesi i Bordit Drejtues të SHSKUK-së Sadik Llullaku, përfaqësuesi i drejtorëve të shëndetësisë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, dr. Arben Vitia, përfaqësuesi i Asociacionit për të Drejtat e Pacientëve Muhamedali Kodra dhe u.d. i Kryeshefit të AFSH-së, Arsim Çavdarbasha