Fillimi i negociatave, fillimi i njohjes

ZëvendësMinistri i Jashtëm, Petrit Selimi, konsideron se negociatat e Serbisë me Bashkimin Europian, që zyrtarisht nisën sot, do të çojnë tek ulësja e Kosovës në OKB. Ai thotë se është lajm i mirë për Kosovën çdo lëvizje e shteteve të Ballkanit drejt BE'së.

Lajme

21/01/2014 13:06

ZëvendësMinistri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, e quan lajm të mirë për Kosovën çdo lëvizje të shteteve të Ballkanit drejt Bashkimit Europian dhe konsideron se fillimi i negociatave Serbi-BE do ta sjellë edhe fillimin e procesit të njohjes së Kosovës.

Kështu, ai ka komentuar negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE, të cilat zyrtarisht nisën sot.

Në një deklaratë për lajmi.net, Petrit Selimi ka përmendur edhe kushtin kryesor për rrugëtimin e Serbisë drejt integrimeve europiane, që është normalizimi i plotë i marrëdhënieve të saj me Kosovën.

“Është lajm i mirë për Kosovën çdo lëvizje e shteteve të Ballkanit drejt BE’së, ngase kështu garantohet edhe sjellje europiane prej fqinjëve tanë dhe njohjen finale të realitetit të Kosovës së pavarur në Ballkan.”

“Fillimi i negociatave të Serbisë për anëtarësi në BE nënkupton edhe fillimin e procesit të njohjes së Kosovës. Nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër dhe asnjë domethënie tjetër.”

Një prej kritereve të paraqitura nga BE për Serbinë është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Por, sa mund të jetë ky një kusht krucial për Serbinë dhe a mund ta tejkalojë këtë kusht, duke i plotësuar tjerat?

Selimi ka shpjegimin e tij.

“Të gjithë kapitujt që negociohen janë krucialë dhe paraqesin kushtet bazike për anëtarësi në BE.”

“Prandaj, edhe marrëveshja kontraktuale mes Kosovës dhe Serbisë është kusht fundamental që do ta testojnë gatishmërinë e Serbisë për solucione të vërteta europiane në marrëdhënie me Serbinë.”

ZëvendësMinistri i Jashtëm, Petrit Selimi, më tutje, duke folur për lajmi.net, thotë se Kosova nuk ka pozitë formale në këto negociata, sepse janë negociata të Serbisë me BE’në, por ka një zë të fuqishëm që do të dëshmojë se a po e plotëson Serbia kushtin e njohjes ligjore të Kosovës

“Këto negociata të Serbisë esencialisht do të sjellin deri te ulësja e Kosovës në OKB, në pajtim të të gjitha shteteve të përfshira në konfliktin ballkanik në dy deceniet e fundit.”