Filipinasit prodhojnë tulla me hirin e vullkanit

Hiri i dalë nga vullkani në Filipine po përzihet me copëza të mbeturinave plastike për të prodhuar tulla. Kjo po vlerësohet si reagim kreativ ndaj fatkeqësive të shpeshta natyrore që e godasin këtë shtet.

Bota

18/01/2020 15:22

Para një jave, vullkani Taal e rriti aktivitetin sizmik, duke nxjerrë hi dhe lavë. Qyteti Binan, i cili shtrihet afër këtij vullkani, u mbulua nga një shtresë e trashë e pluhurit të hirtë.

Zyrtarët e mjedisit, përpos që e larguan këtë hi, vendosën që atë ta kombinojnë me rërë, çimento dhe mbeturina të plastikës për t’i prodhuar rreth pesë mijë tulla në ditë.

“Në vend se ta derdhim hirin në një lokacion, tash kemi mundësi që ta përdorim atë për diçka të dobishme”, tha zyrtari për mbrojtjen e mjedisit, Rodelio Lee, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

Filipinet përballen me një krizë të madhe të mbeturinave. Sipas një raporti të publikuar vitin e kaluar, popullsia e këtij vendi i përdor gati 60 miliardë qese plastike çdo vit.