Figurat politike që privatizuan ndërmarrje shoqërore

Procesi i privatizimit po hetohet nga një Komision Parlamentar, pasi ka dyshime se ka pasur parregullsi dhe ndërhyrje të politikës në këtë proces.

Lajme

28/10/2020 12:03

Dyshimet më të mëdha të privatizimit janë në kohën kur pronat shoqërore u shiten nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit –AKM (2002 -2008).

Dyshimet janë se shumë pronarë që privatizuan fabrika nuk u janë përmbajtur zotimeve të kontratës.

Shumica e ndërmarrjeve të shitura në Kosovë janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo e cila lejon destinimin e ndërmarrjes, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Në mesin biznesmenëve të mëdhenj si Elkos, Devolli, “Beni Dona”, etj, gjenden edhe emra të njerëzve që janë të lidhur me politikën, ose që kanë qenë të lidhur me të, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, aty gjinden dhe disa prej emrave të ish-komandantëve të UÇK-së, familjarë të tyre, që paguar shuma të mëdha parash për të privatizuar ndërmarrje shoqërore.

Nevzat Isufi është kryetar i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan. Në vitin 2014, ka privatizuar 186,034.00 metra katrorë tokë kullosa, në vlerë prej 80 mijë eurove. Toka është blerë në vitin 2014 nga AKP-ja. Isufi në vitin 2010 ka qenë pjesë e Këshillit Nismëtar të Vetëvendosjes në Gjilan, anëtar i Kryesisë, pastaj nënkryetar i parë i Qendrës së LVV-sw, deri në zgjedhjet e kaluara. Nga zgjedhjet lokale të fundit, është anëtar i Kuvendit Komunal, mandati i dytë dhe shef i grupit.

Milazim Lushtaku është djali i vëllait të ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ai ka privatizuar një lokal në Skenderaj në vlerë prej 51 mijë eurove. Një lokal në vlerë prej 31 mijë eurove e ka privatizuar edhe në vitin 2013.

Florin Kelmendi, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në kohën sa ka qenë deputet, në vitin 2012, e ka privatizuar një lokal 70 metra katrorë për vetëm 5500 euro.

Ndërsa, Jeton Jagxhiu ish-koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, në nëntor të vitit 2013, ka blerë një lokal 485 metra katrorë në vlerë prej 172 mijë eurove. Jagxhaliu tash i është përkushtuar vetëm biznesit.

Feim Fetoshi, ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike në Rahovec. Fillimisht e kishte nisur rrugëtimin e tij me partinë e Ramush Hradinajt për të ateruar më pas në PDK, dhe më pastaj në LDK. Së fundmi ka ateruar në Lëvizjen Vetëvendosje. Para pak muajve kryetari i LVV-së, Albin Kurti e ka prezantuar si aderim shumë të rëndësishëm nga komuniteti i biznesit. Sipas të dhënave të AKP-së, në nëntor të vitit 2013, ka privatizuar 42,649.00 metra katrorë, që është blerë në vlerë prej 20 mijë eurove. Në deklarimin e pasurisë të vitit 2015, Fetoshi e ka paraqitur këtë hapësirë të tokës si pronë të përbashkët familjare dhe vlerën e saj ia ka vënë 85 mijë eurove.

Skender Hebibi, ish-kryetar i Kuvendit Komunal të Vitisë nga radhët e AAK-së, në vitin 2009 ka privatizuar një depo, pronë e NSH “Letnica Textile Factory”, në vlerë prej 185 mijë eurove, të madhësisë 3 mijë e 300 metra katrorë. Hebibi nga viti 2004 ka qenë ish-anëtar i kryesisë qendrore të AAK-së dhe, kryetar i degës së kësaj partie në Viti, por më pas ka ateruar në PDK.

Fahri Selmanaj, i cili është vëllai i ish-kryetarit të Deçanit, Rasim Selmanaj, në vitin 2007, e ka privatizuar një lokal në Gjakovë në vlerë prej 171 mijë eurove.

Arzen Bytyqi, njëri prej themeluesve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e që ishte edhe anëtar i Këshillit Drejtues në AAK dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, para disa vitesh kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake të AAK-së. Ai është rikthyer përsëri në këtë parti para dy viteve. Në vitin 2009 ka blerë një lokal në Pejë në vlerë prej 121 mijë eurove. Në vitin 2014 ai ka privatizuar një lokal në vlerë prej 34 mijë urove.

Lavdie Bujupaj, karrierën e saj politike e kishte nisur në gjirin e AAK-së, duke u përzgjedhur asambliste në vitin 2013. Në vitin 2016, ajo ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe është asamblistja e vetme e VV-së në KK të Istogut. Në vitin 2014, ajo nga AKP-ja ka blerë një lokal në vlerë prej 61 mijë eurove. Lokali i takonte ndërmarrjes “Korenik”.

Ish kryetari i PSHDK-së, njëherësh ish-Rektori i UP-së, Marjan Dema, në vitin 2008, ka privatizuar dy lokale. Njërin është i blerë në vlerë prej 72,00 euro, dhe është 48 metër katrorë dhe tjetrin është blerë 15,100 euro dhe është i madhësisë 22 metra katrorë.

Arben Kadriu është prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Emri i tij gjendet edhe në listën e AKP-së, ku thuhet se në vitin 2005 ka privatizuar 3, 155, 778, 00 m2 tokë bujqësore në Ramjan të Vitisë, në vlerë prej 353 mijë euro. Kadriu tokën  privatizuar e ka paraqitur edhe në deklarimin e pasurisë të vitit 2020, veç aty ka shënuar se është pronarë i tokës në hapësirë prej 68, 778.00 m2, vlera e të cilës është shënuar 33 mijë euro. Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga Kadriu se çka ka ndodhur me pjesën tjetër të tokës, por ai nuk është përgjigjur.

Pacollët privatizues të mëdhenj

Edhe familja e ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës, kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli ka blerë asete shoqërore.

“Mabetex Project”, pronë e familjes Pacolli, në vitin 2005 figuron se ka blerë fabrikën “Farmed” në vlerë prej 2.4 milionë eurove. Në vitin 2007 figuron se ka privatizuar një ndërtesë administrative në Prishtinë në vlerë prej 1 milion eurove.

Po ashtu, kompania “Makos LTD” që është në pronësi të kompanisë “Mabetex holding” sh.a. e ka blerë ish-hotel Ilirinë (Swiss Daimond) në vitin 2006, në vlerë prej 1.6 milionë euro.

Ismet Pacolli, vëllai i Behgjet Pacollit ka blerë tokë industriale në Carralevë, në hapësirë prej 16,716.00 m2 në vlerë prej 45 mijë euro e blerë ne vitin 2011. Është blerë nga ndërmarrja “Magjistralja”. Po të njëjtën ditë nga ndërmarrja “Magjistrale” ka blerë edhe zyre e ndërmarrjes në Carralevë në vlerë prej 444, 444.00 euro.

Ish-deputeti, Islam Pacolli, më 18 prill 2017, ka blerë tre lokale nga ndërmarrja “Blinaja”, dy në Lipjan në vlerë prej 163 mijë euro, dhe një në Prishtinë në vlerë prej 130 mijë euro.

Rrahim Pacolli në vitin 2018, ka blerë tokë bujqësore në Graçanicë në vlerë prej 81 mijë e 999 euro në një hapësirë prej 5, 216.00 m2.

Abdurrahman Konjufca është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh axha i nënkryetarit të Vetëvendosjes Glauk Konjufca. Ai në vitin 2001 ka privatizuar/komercializuar fermën e pulave në Lipjan. Gjithashtu, emri i tij gjendet edhe në listën e AKP-së si privatizues i tokës KB Kosova, Akllap Tokë Bujqësore Sh.P.K. 384,005.00 mijë metra katrorë janë privatizuar në vitin 2007, me vlerë 48 mijë euro. AKP para 10 vitesh kishte vendosur t’ia marr fermën e pulave pasi që nuk i kishte përmbushur obligimet e kontratës. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka vendosur që t’ia marrë fermën e pulave komercializuesit Abdurrahman Konjufca. Zyrtarë të AKP-së thonë se ai nuk plotësoi asnjë nga kushtet e kontratës.

Ish-deputeti Ramiz Kelmendi, është i përfshirë në disa valë të privatizimit. Për të fundit herë ka privatizuar në vitin 2011 tokë dhe ndërtesë në hapësirë prej rreth tre hektarë në vlerë prej rreth 4 milionë eurosh. Privatizimin e ka nisur në vitin 2003 ku ka blerë 550.00 hektarë tokë në vlerë prej 275 mijë eurove, më pas në vitin 2005, tre hektarë tokë në vlerë prej 706 mijë eurove, po në vitin 2005, 2.3 hektarë tokë në vlerë prej 630 mijë eurove, në vitin 2006, 7 hektarë tokë në vlerë prej 600 mijë eurove, dhe po në vitin 2006 ka privatizuar 0.45 hektar tokë në vlerë prej 70 mijë eurove.

Ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, në vitin 2005, ka privatizuar hotel “Drenicën” që gjendet në Fushë Kosovë, në vlerë prej 188 mijë eurove. Një vit më vonë ka privatizuar edhe një lokal dhe tokë në Podujevë në vlerë prej 450 mijë eurove. Në vitin 2008, e ka privatizuar një depo në Prishtinë në vlerë prej 1.2 milion eurosh.

Hisja e komandantëve të UÇK-së

Edhe ish-komandant e familjarë të tyre kanë blerë asete shoqërore.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili po e synon hapur postin për president të Kosovës, zotëron një “çiflig” mjaft të madh. Por, ky “çiflig” nuk është i trashëguar, por i blerë nga shteti.

Sipas raportit të AKP-së, toka gjendet në Izniq të Deçanit. Toka ka qenë e Ndërmarrjes shoqërore “Prodhimtaria bimore “Izniq””. Emri i ndërmarrjes së re është “Plantacioni i vishnjave dhe lajthive”.

Kategoria e asetit është: tokë bujqësore, ndërsa mënyra e shitjes ka qenë me spin off i rregullt. Sipërfaqja e tokës në metra katror është: 1, 988, 670.00. Por, sipas raportit të AKP-së, çmimi i shitjes ka qenë 70 mijë euro, dhe kontrata është lidhur me datë 21 mars 2010. Çmimi për njësi, ose për një ari ka qenë 3 euro e 52 cent, ndërsa çmimi për një hektar ka qenë 351 euro e 99 cent.

Selman Selimi, vëllai i ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka privatizuar tokë prej 3,058,256 metra katrorë në vlerë prej 390 mijë eurove. Selimi edhe në vitin 2014 ka privatizuar një tokë tjetër në vlerë prej 164 mijë eurove. Po në vitin 2014, në emrin e Selman Selimit është privatizuar një parcelë tokë dhe një ndërtesë administrative në vlerë prej 101 mijë eurosh.

Ilaz Selimi, vëllai i deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, në vitin 2006 e ka privatizuar fabrikën e farërave në Klinë në vlerë prej 200 mijë eurove. Selimi ka qenë kryetar i parë i PDK-së dega në Klinë për disa vite. Ndërkohë në vitin 2009 ka privatizuar edhe një hapësirë tokë bujqësore prej 1,938, 747.00 metra katrorë në vlerë prej 102 mijë eurove.

Halil Geci, vëllai i Gani Gecit, i cili nga viti 2007 – 2010 ka qenë deputet nga radhët e LDK-LDD. Nën emrin e Halil Gecit në vitin 2005 është privatizuar fabrika “Përparimi LLC” në Skenderaj për 1 milion e 200 mijë euro. Ndërkaq, Nebih Geci, vëlla i Gani Gecit, figuron që ka privatizuar 2,156,964 metra katrorë tokë bujqësore në vlerë prej 155 mijë eurove në vitin 2009. Në të njëjtën ditë, Nebihi figuron që e ka privatizuar edhe një tjetër parcelë në vlerë prej 200 mijë eurosh. Vetë ish-deputeti dhe pjesëtari i UÇK-së, Gani Geci, në vitin 2011 figuron se ka privatizuar tokë dhe lokal në Skenderaj në vlerë prej 14 mijë eurove.

Po ashtu, Musa Jashari, përgjegjës për Veprime Operacionale në Zonën e Pashtrikut në luftën e UÇK-së ka privatizuar një lokal dhe tokë në Mitrovicë në vlerë prej 39 mijë eurosh në vitin 2007.

Lulëzim Kabashi, ka qenë kandidat i AAK-së dhe LDD-së për kryetar të Prizrenit. Për disa vite ka qenë asamblist komunal nga radhët e AAK-së. Në vitin 2012 e ka privatizuar një lokal së bashku më një parcelë tokë në vlerë prej 51 mijë eurove. Gjatë luftës ka qenë komandant i batalionit “Kabashi” të Brigadës 125 në Korishë.

Ndërkaq, Nasim Haradinaj, komandanti i UÇK-së dhe i njohur për luftën në Koshare, në vitin 2009 ka privatizuar tokë bujqësore në hapësirë prej 2,195,231 metra katrorë në vlerë prej 257 mijë eurosh në Pejë. Po në vitin 2009, Haradinaj ka privatizuar edhe një tjetër hapësirë tokë në Gjakovë në vlerë prej 817 mijë eurosh.

Përndryshe, Komision Parlamentar Hetimor për Procesin e Privatizimit do të funksionojë në një periudhë gjashtëmujore.

Pas intervistimit të të gjithë dëshmitarëve, do të kalohet në fazën e shqyrtimit të provave, për të përmbyllur punën e Komisionit me raportin final dhe rekomandimet. Puna e Komisionit Hetimor përfundon në momentin që raporti me rekomandime dërgohet në seancë plenare. /Lajmi.net/