FIBA ka një lajm të keq për tifozët kosovarë

FIBA ua ka tërhequr vërejtjen tifozëve kosovarë rreth intonimit të himnit kombëtar.

Sport

17/03/2015 13:15

FIBA, përmes një letre paralajmërimi në drejtim të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ua ka tërhequr vërejtjen tifozëve kosovarë rreth intonimit të himnit kombëtar. Sipas shtëpisë së basketbollit ndërkombëtar, himni duhet të këndohet vetëm kur të luajë përfaqësuesja e jo klubet. Tifozët, momentalisht, s’duan t’ia dinë

Në një të ardhme të afërt, mund të mos i dëgjojmë më tifozët kosovarë duke e kënduar himnin kombëtar shqiptar, kur luajnë klubet e tyre të zemrës. Pas luftës, në sportet kryesore është bërë shprehi dhe traditë të këndohet himni para fillimit të ndeshjeve, por kjo dukuri mund të marrë fund shpejt, pasi pritet të vijë urdhri nga lart.

Në fakt, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA), ia ka dërguar një vërejtje Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), që himni të këndohet vetëm në ndeshjet e përfaqësueses e jo të klubeve, siç e këndojnë tek ne tifozët.

Nëse kjo ndodh edhe gjatë ndeshjeve të nivelit të klubeve, këta të fundit mund të dënohen deri në 5,000 euro. Njëjtë ndodh edhe në Izrael, ku tifozët nuk e respektojnë këtë rregull, por që klubet e tyre gjobiten vazhdimisht.

“Na ka ardhur një paralajmërim nga FIBA, e cila na ka shpjeguar se në ndeshjet e nivelit të klubeve është e ndaluar të këndohet himni kombëtar. Momentalisht nuk ka urdhër, por kur kjo të ndodhë, ne duhet ta respektojmë Rregulloren e FIBA-s”, deklaroi për “Zërin” presidenti i FBK-së, Erolld Belegu. “E di që është një çështje emocionale dhe që tifozët e kanë të vështirë të ndryshojnë, por kjo është për të mirën e klubeve të tyre. Shpresoj që kjo të ndalet”, vazhdoi ai.

“Plisat” nuk ndalen

Ndër tifozeritë që e këndojnë rregullisht himnin e flamurit në ndeshje futbolli dhe basketbolli janë prishtinasit “Plisat”. Mirëpo, paralajmërimi nga FIBA duket se nuk ua tremb syrin atyre. Prijësi i tyre, Albert Kastrati (Tigri), zotohet se tifozët prishtinas nuk do të ndalen asnjëherë.

“Himnin nuk mund ta ndalojë askush. Jo FIBA, por askush. Ne gjithmonë do ta këndojmë, ku të jemi prezentë”, thotë “Tigri” për gazetën Zëri.

Gashi: Vështirë të ndalet intonimi i himnit

Edhe Art Gashi, kryetar i KB Pejës, e pranon se është e vështirë të ndalen tifozët së kënduari himnin kombëtar. Mirëpo, ai premton se do të bisedojë me prijësit e “Shqiponjave”, duke u munduar që ta gjejë një zgjidhje, për t’u munduar t’i respektojnë rregullat e FIBA-s.

“Edhe në Ligën Ballkanike ishte i ndaluar intonimi i himnit, por ata kanë bërë përjashtim në rastin tonë. Por, FIBA i ka dënuar në Izrael, por tifozët e këtij vendi nuk janë ndalur asnjëherë, pasi e kanë mentalitet dhe kulturë dhe nuk mund të ndryshojnë”, shpjegon Gashi për Zërin.

“Nëse na jepet urdhër për ta ndalur së intonuari himnin, do të mundohemi ta gjejmë një zgjidhje, edhe pse jemi në pozitë mjaft të palakueshme, është e vështirë, pasi dihet se jemi emocionalë në këtë aspekt, nga ajo që e kemi kaluar. Është një çështje e ndjeshme. Por, premtoj se do të punojmë që të jemi në përputhshmëri të rregullave të FIBA-s”, vazhdoi Gashi. Tifozët kosovarë e këndojnë me ëndje himnin kombëtar shqiptar. Sigurisht, për ta do të jetë mjaft e vështirë të ndalet kjo, edhe pse, rregullat janë rregulla.