FIBA e ndihmon Kosovën

FIBA e ka shprehur interesimin për ta ndihmuar Kosovën, duke e dërguar një letër në adresë të FBK-së. Krerët e basketbollit kosovar e kanë përshëndetur ndihmën e shtëpisë së basketbollit ndërkombëtar.

Sport

29/05/2014 21:53

FIBA është shprehur e gatshme për ta ndihmuar basketbollin kosovar. Shtëpia e basketbollit kosovar i është përgjigjur letrës së dërguar kohë më parë nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), për zgjerimin e bashkëpunimit në mes tyre. Këtë e ka bërë të ditur të enjten kryetari i FBK-së, Erolld Belegu, në konferencën për shtyp të mbajtur në Prishtinë.

“FIBA është përgjigjur pozitivisht në kërkesën tonë për zgjerim të bashkëpunimit para pranimit tonë dhe kjo gjithsesi do ta ndihmojë basketbollin tonë”, tha kreu i FBK-së, duke bërë me dije se rëndësi të madhe do t’u kushtohet kampeve me instruktorë të caktuar dhe të sjellë nga FIBA.

Kështu, FIBA do të ndihmojë në krijimin e një instruktori të gjyqtarëve në FBK, i cili pastaj do të ftohet në klinikën e instruktorëve nacional me shpenzime të FIBA-s.

Gjatë korrikut të këtij viti, FIBA do t’i caktojë dy instruktorë për ta mbajtur kampion veror ndërkombëtar të FBK-së, ndërkohë që FBK-ja do të furnizohet me materiale të shumta nga FIBA e që kanë të bëjnë me avancimin e trajnerëve dhe gjyqtarëve të basketbollit.

Katër gjyqtarë të FBK-së, me shpenzimet e FIBA-s, do të jenë pjesëmarrës në klinikën për gjyqtarë në kampin Scania Cup, kurse pesë gjyqtarë në qershor pritet të marrin pjesë në kampin e Ligës Ballkanike.