FFK nis edukimin për video-analistë të futbollit

Federata e Futbollit të Kosovës ka filluar edukimin për video-analistë të futbollit.

Sport

10/06/2022 16:23

Në kuadër të programit strategjik të FFK-së dhe në bashkëpunim me UEFA-n, për herë të parë në Kosovë po mbahet kursi për video-analistë të futbollit.

Gjatë tre ditëve të kursit fillestar që shërben si hyrje në video-analizë, pjesëmarrësit do të marrin leksione mbi rëndësinë e video-analizës, mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin e tyre.

Në kursin e parë, pjesëmarrës janë anëtarë të stafeve të klubeve të Superligës dhe të ekipeve zinxhirë të kombëtareve.

Drejtori teknik, Albert Bunjaki, ka thënë se roli i video-analistit është bërë shumë i rëndësishëm në futbollin modern dhe po thuajse çdo klub dhe kombëtare serioze në stafet e tyre e ka edhe video-analistin, prandaj FFK me qëllim që të jetë në hap me kohën, ka vendosur të nisë me edukimin e kuadrove të këtij profesioni.

Sipas tij, ky edukim, pas kursit fillestar treditor, do të ndahet në tri nivele, e të cilat pjesëmarrësit duhet t’i kalojnë për t’u certifikuar si trajner të video-analizës. Në këtë kurs para pjesëmarrësve po ligjërojnë eksperti i kësaj lëmie nga Suedia, Nisse Jansson dhe video-analisti i Kombëtares së Kosovës U21, Alan Clark.

Në fund të ciklit të këtij kursi pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatën ndërkombëtare të video-analistit./Lajmi.net/