FFK në negociata të avancuara me Magath – mbetën vetëm disa detaje para finalizimit të marrëveshjes

Kombëtarja e Kosovës është shumë pranë të bëhet me përzgjedhës të ri.

Sport

19/01/2022 23:02

Që nga shkarkimi i Bernard Challandes, ishte Pramoz Ghila që ka qenë në kreun e “Dardanëve”, por kjo gjë pritet të ndryshojë brenda muajit, shkruan lajmi.net.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është në negociata të avancuara me ish trajnerin e Bayern Munichut, Felix Magath.

Burimet e “Lajmi.net” tregojnë se presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka gjetur ‘gjuhën e përbashkët’ me teknikun gjerman, derisa kanë mbetur vetëm edhe disa detaje para se marrëveshja të kompletohet.

Sa i përket kontratës, ende nuk dihet se për sa vite do nënshkruajë Magath, por besohet të jetë afatgjatë.

Ndërkohë, ditët e ardhshme do jenë vendimtare për Magath, që më shumë gjasa do bëhet përzgjedhësi i ardhshëm i “Dardanëve”./Lajmi.net/